Agjencia për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ka dënuar filmin dhe karikaturat, që konsiderohen se e fyer Profetin Muhamed, por gjithashtu ka dënuar edhe reagimin e dhunshëm në gjithë botën arabe. 

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Rupert Kolvill, u tha gazetarëve në Gjenevë se, si filmi ashtu edhe karikaturat janë provokim keqdashës dhe i qëllimshëm.

Por, ai ka theksuar se, “nuk ka arsyetim të mundshëm për reagimet e dhunshme dhe shkatërruese”.

Kolvill theksoi se, “sipas pikëpamjes sonë, mënyra më e mirë për t’u marrë me këto provokime të qëllimshme dhe të krisura, është që ato të injorohen dhe të privohen nga publiciteti”.

Gjatë 10 ditëve të reagimeve të dhunshme ndaj filmit “Pafajësia e Myslimanëve” dhe karikaturave satirike të revistës franceze “Charlie Hebdo”, janë vrarë mbi 30 persona./ Shekulli

 

Myslimanët Shqiptarë: Dënojmë filmin anti-islam, dhuna ndaj SHBA e pajustifikueshme

Në qytetin e Pogradecit, Lidhja e Hoxhallarëve shqiptarë  ka organizuar një simpozium për vlerat e profetit Muhamet. Në takimin ku morën pjesë hoxhallarë nga disa rajone të Shqipërisë, si dhe Maqedonia, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në mjaft vende myslimane të përfshira nga protestat e dhunshme pas publikimit të një filmi për Profetin Muhamet.

Përfaqësuesi i Lidhjes së Hoxhallarëve shqiptarë Justinian Topulli është shprehur se simpoziumi është një aktivitet për të promovuar vlerat e profetit dhe nuk është ndonjë formë proteste. “Nuk ka asnjë lloj proteste të myslimanëve shqiptarë, nuk na ka shkuar në mendje te bëjmë protestë për asnjë lloj konteksti “, tha Topulli.

Reagimi i Lidhjes së Hoxhallarëve për zhvillimet në disa vende myslimane është publikuar tashmë në faqen e internetit të organizatës dhe në gazetën e saj. “Ne dënojmë atë film qe kërkon të ulë profetin tonë, Të ulë vlerat e tij, por njëkohësisht dënojmë të gjitha aktet e dhunshme, insinuatat, apo problemet që shkaktohen me përfaqësues të shteteve të huaja. Kjo dhunë nuk ka asnjë justifikim”, u shpreh Topulli. Më tej ai u sqaroi besimtarëve të pranishëm se:”Çfarë përgjegjësi mban ambasadori amerikan në Libi në lidhje me atë që kanë bërë një grup njerëzish në Haiti? Është e njëjta gjë, që ne nuk mbajmë asnjë lloj përgjegjësie sepse dy tre myslimanë, njerëz te inkriminuar  apo të futur, të bëjnë gabime”

Kleriku musliman tha se shpeshherë myslimanët bien në grackën e këtyre provokimeve dhe u bëjnë reklamë këtyre filmave të cilët sulmojnë këto figura të mëdha  për tu bërë komercialë. “Mjeti më i mirë është mosreagimi, për ti lënë në indiferencë, të injorohen si fakte në mënyrë që të mos u bëhet publicitet”, tha ai. Zoti Topulli shpjegoi se protestat në vendet arabe dhe muslimane kanë edhe prapavijë politike edhe pse i fshehin ato me petk fetar. Ndërsa kleriku nga Maqedonia Bekim Islami, tha se nëpërmjet këtij tubimi besimtarët në Pogradec manifestonin dashurinë e thellë për profetin dhe tregonin nga ana tjetër mënyrën e denjë se si myslimanët shqiptarë duhet të veprojnë në momente kur provokohen me ndodhi apo incidente./Shqip

SHPËRNDAJE