Nga 24 korriku 2012 Odeta Nishani do të nisë rrugëtimin presidencial në krah të bashkëshortit të saj Bujar Nishani.Historinë e dashurisë së çiftit presidencial të cilën Odeta Nishani ka rrëfyer vite më parë në media,do ta tregon më poshtë, pa e ditur se një ditë do të bëhej Zonja e parë e Shqipërisë.

Së bashku kanë 18 vjet martesë dhe pas 2 vitesh fejesë. “Në lidhjen tonë nuk shquhet ndonjëri për kokëfortësi ose për tolerancë të tepruar. Në fakt kjo është gjëja që më bindi mua, se kjo e jona ishte një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme”- tregon Odeta në intervistën e dhënë vite më parë që rikujtohet sot nga gazeta Shekulli. Zonja Nishani aktualisht punon në Ministrinë e Kulturës.

Ajo i ka dhënë një mbështetje të madhe në fushatat elektorale kur konkuronte përballë ish ministrit të Rendit Igli Toska, në 2005, si dhe me deputeten Monika Kryemadhi, ndërsa nga 24 korriku do të jetë në krah të Nishanit në rrugën e tij presidenciale.

Ata janë martuar në 1994 dhe kanë 2 fëmijë. Djali, Ersi, 17 vjeç që studion në një kolegj në Vjenë dhe vajza Fiona, 13 vjece. Aktualisht banon në apartamentin e tij në Selitë, por pritet të transferohet në Pallatin e Brigadave pasi mbrëmë në një intervistë për Blendi Fevziun Nishani deklaroi se “në momentin e marrjes së detyrës do të zbatoj të gjitha rregullat që do të më përcaktojë protokolli i shtetit dhe nuk do ti anashkaloj.”

Dje në intervistë për Opinion të Blendi Fevziu, presidenti i zgjedhur Bujar Nishani deklaroi se bashkëshortja e tij vinte nga një familje tregtarësh.

“Për fat të mirë familja e bashkëshortes është familje tregtarësh të dëgjuar, trashëgimtare e njërit prej nënshkruesve të Pavarësisë, Qemal Bej Elbasani. Kanë trashëguar prona të konsiderueshme, por edhe në Durrës familja e saj ka qenë ndër tregtarët e dëgjuar. Kemi pasur përfitime nga rikthimi i pronave.” – tha mbrëmë Nishani.

FQINJET: BEME TIFO

Fqinjët thonë se kanë respekt maksimal për të dhe se ishte emri më i denjë nga kandidaturat e shumta. “Gjithë kohës kam bërë tifo. Është një nga personat më të nderuar” – thotë gëzimi një fqinj pranë apartamentit të çiftit Nishani afër Kodrës së Diellit. Ndërkohë që Odeta Nishani e ka pasur të vështirë të flasë duke premtuar se do të flasë shumë shpejt.

“Ka qënë njeriu më i përzgjedhur nga të gjithë, ai që ne prisnim, njeriu më i mirë dhe u gëzuam shumë për Nishanin. Ne ndjehemi maksimalisht mirë që ai jeton në lagjen tonë”, thotë një tjetër.

“E pritëm shumë mirë lajmin për zgjedhjen si president të Bujar Nishanit, ne e kemi komshi është njeri që nga flet, na përgëzon, ta gëzojë fitoren dhe gjithë të mirat. Nishani është një president konsensual dhe ne i urojmë gjithmonë fitore dhe urime”.

Dhe akoma: “Ne e pritëm jashtëzakonisht mirë lajmin, ai është nga ne që e njohim një familje e nderuar dhe e respektuar edhe si njeri na pëlqen sepse është një njeri shumë shumë konsensual, njeri i thjeshtë dhe shumë i drejt”.

“Më në fund u zgjidh ngërçi, s’mund të mbahej peng e politikës çështja e presidentit, vendi do një president karshi detyrimeve që kemi për në BE”, vazhdojnë komentet.

“U ndjem të gëzuar në momentin që u zgjodh president, dhe them se e meritonte”.

Nuk mungojnë dhe urimet. “Detyrën ta kryej me nder dhe seriozitet. Të qëndroj ashtu siç ka qënë edhe kur ishte ministër i Brendshëm si një njeri i thjesht dhe shumë i suksesshëm në punën e tij”.

“Duhet të jetë një president mbi palët, dhe të jetë president i të gjithë shqiptarëve. T’ja plotësoj të gjitha kushtet popullit, populli atë do punë, mirëqënie, rrugë dhe gjithçka”.

“Na bëhet qejfi që ai arriti deri ktu dhe do mërzitemi shumë që do na iki”.

SHPËRNDAJE