Obama dhe Sarkozi urojnë homolegen e tyre shqiptare Atifete Jahjagën – në krye të shteti të Kosovës

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama dhe ai i Francës Nicolas Sarkozi i kanë dërguar urime Presidentes së re të Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga.

Në letrën e urimit të Presidentit Barack Obama thuhet:

E nderuara Zonja Presidente,

Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Zgjedhja juaj, me mbështetjen e partive më të mëdha në koalicionin qeverisës si dhe në opozitë, paraqet pjekurinë politike në rritje të Kosovës dhe statusit të saj në rritje si demokraci të bazuar në barazi për të gjithë.

Shtetet e Bashkuara mbesin mik i patundur i popullit të Kosovës. Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet që ju ndihmojnë juve në rrugën përpara drejt qëllimeve të përbashkëta të integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe ato ndërkombëtare. Në veçanti, ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet tuaja për të avancuar reformat e nevojshme për ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe shumetnike, për forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe sundimin e ligjit.

Tash kur po i merrni përgjegjësitë si President, unë ju dëshiroj sukses të plotë.

Sinqerisht,

Barak Obama

 —————————————————————————————

REPUBLIKA  EFRANCËS

 

Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy e ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes në krye të vendit, ndërsa ofroi mbështetjen e shtetit të tij në procesin e integrimit evropian.

 

“Në momentet kur ju keni arritur në kryesinë e Kosovës, dua t’ju dërgoj përgëzimet e mia më të ngrohta dhe uroj që të keni sukses në ushtrimin e misionit tuaj të lartë. Prej pavarësisë së saj para tri viteve, Kosova ka bërë reforma të rëndësishme. Por, të tjera duhet ende të bëhen dhe në veçanti për të konsoliduar institucionet, sundimin e ligjit, si dhe të favorizohet integrimi i minoriteteve. Sfida të rëndësishme duhet kaluar, në fushën ekonomike dhe sociale, si dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Ky është objektivi i dialogut të angazhuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. E përshëndes vullnetin tuaj për të dhënë impulsionet politike për të realizuar reformat dhe për t’i pranuar sfidat. Këto janë etapa të nevojshme për vazhdimin e integrimit evropian të Kosovës, që ka plotësisht prirje t’i bashkohet Bashkimit tonë, sikurse çdo anëtar tjetër. Në këtë rrugë, për të realizuar këtë ambicie, mund të llogaritni në ndihmën e Francës, sikurse keni llogaritur në mbështetjen e saj për ta njohur dhe për ta përforcuar Shtetit tuaj të ri”, thuhet në urimin e Sarkozyt.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni