Monika STAFA

Shqipëria sivjet mbush njëqind vjet. Për fatin e saj, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, janë pesë shtete të pavarësuar pas saj në Ballkan: Mali i Zi, Bosnja, Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia. Në fakt, Mali i Zi ka qenë shtet para se të ishin Jugosllavia dhe Shqipëria, ndërsa Kroacia është ndarë nga Serbia qysh në vitin 1810, praktikisht para se të pavarësohej dhe Greqia, në kohën kur sundimi perandorak napoleonian u shtri deri këndej Adriatikut. Ngushëllim i mirë për shqiptarët, që nuk janë të fundmit shtetkrijues në Ballkan, megjithëse duke e besuar entuziazmin foshnjarak për një shtet të dytë shqiptar në Ballkan, domethënë për Kosovën e pavarur dhe jo për Kosovën europiane, prapë së prapë shqiptarëve u mbetet të jenë të fundmit fare në gadishull që krijojnë shtet.

Shqipëria mbush sivjet njëqind vjet, por si i mbush?! E ku jemi?! Në pesë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Greqi. Pa numëruar tri komuna shqiptare në jug të Serbisë, që as vetë nuk e dinë se ku të kapen. Kuq-e-zinjtë kanë krijuar, madje, dhe emrin e një konfederate panshqiptare: Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë.

Njëqind vjet Shqipëri dhe njëqind vjet hipokrizi; njëherësh dhe njëqind vjet vetmi. Greqia e tejkaloi vetminë qysh në vitin 1827, kur pavarësia e saj u njoh nga Britania e Madhe. Serbia e kaloi vetminë në vitin 1918, kur Konferenca e Versajës vendosi krijimin e mbretërisë së Karagjorgjeviqëve, duke i bashkuar asaj sllovenët, malazezët dhe Kosovën. Shqipëria mbahet se e ka gjetur mikun strategjik, Washington-in, por, po të lexosh raportet e diplomacisë amerikane në atë masë që janë shpallur nga ‘Wikileaks’, Shqipëria është vetëm një “mik i përdorur”. Romantizmi i ri që ka lindur në dekadën e fundme është vetëm një vetëmashtrim.

Treçerek shekulli më parë Shqipëria ishte mbretëri. Kosova nuk ekzistonte, shqiptarëve në Mal të Zi nuk kishte si t’u vihej gjobë për mbajtjen e flamurit deri në njëmijë euro, sepse as shqiptarët kishin status, as euro ekzistonte. Shqiptarët në Maqedoni nuk kishin pse asistonin përurimin e një monumenti kushtuar “Maqedonisë 1914”, sepse Maqedonia nuk ekzistonte as në këngët popullore. Por, megjithatë, Shqipëria e mbretit, Shqipëria me të cilën është bërë aq shumë humor sa nuk mund të përshkruhet, kishte më shumë thesar (rezerva në ar) se sot (të paktën trefishin) dhe ishte më e pavarur prej krizave botërore se sot. Mjafton të thuhet se në kohën e “Depresionit të madh” të vitit 1929 Shqipëria kishte monedhë deflacioniste, domethënë letra vlente më shumë se ari. Kurse sot Shqipëria shet edhe rezervat e fundme të arit, që janë sa gjysma e thesarit të grabitur prej ushtrive pushtuese në vitet e antifashizmit.

Në vitin 1937, që nuk ishte as vit i brishtë, si viti 2012; as vit i trishtë, si ky që ka nisur, qeveria mbretërore ngriti një komision të “25-vjetorit të vetë-qeverimit”. Komisioni ndërmori disa nisma që kanë mbetur në histori. Shpalli një konkurs për shtatoren më të mirë të heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, të cilin e kryesoi Mirash Ivanaj. Meqë mbreti A. Zog donte t’ia njihte çmimin e parë doemos një italiani, Ivanaj dha dorëheqjen. Nuk u shpall fitues as ai që vendosi juria ndërkombëtare (një kroat dhe një bullgar), as ai që donte Zogu. Fitoi statuja e O.Paskalit, e cila sot gjendet në Kukës dhe në monedhën njëmijëlekëshe. Se çfarë ndodhi me statujën e skulptorit italian, askush nuk e di. Por dihet dinjiteti i dorëheqjes së Ivanajt kur sovrani kushtetues ndërhyri në vendimmarrjen e tij. A dihet një dinjitet i tillë vallë sot?

Në 25-vjetorin e vetëqeverimit, qeveria mbretërore mblodhi në Tiranë gjithë figurat e shquara të albanologjisë në botë. Milan Shuflaj nuk jetonte më, por u ftua të vinte në Tiranë njëri prej nyjave të trinisë albanologjike, Norbert Jokl. Dhe ai erdhi, foli e shkroi shqip, madje që në atë kohë u projektua vendosja e tij në Shqipëri, duke qenë se doktrina e Reich-ut “final solution”, e rrezikonte fizikisht, sikurse dhe rezultoi. Një vit më vonë, i pabinduri Lasgush Poradeci do t’i shkruante një letër oborrit mbretnor që të kujdesej për riardhjen e Joklit në Shqipëri, bashkë me bibliotekën e tij, me një pension modest që të bën të skuqesh, por Joklit gjithsesi ia shpëtonte jetën. Monarku “anadollak”, qysh në vitin 1929 kishte porositur një histori të popullit shqiptar dhe një kolanë dokumentare për këtë histori prej njerëzish eminentë të dijes albanologjike, si M. Shuflaj, L. Taloci, K. Jirecek. Honorari që iu premtua Shuflajt për historinë e Shqipërisë, që duhej të ishte e përfunduar në 25-vjetorin e vetëqeverimit, ishte 75 mijë franga zvicerane, baras me 3-4 milionë dollarë sot. Një honorar i tillë kurrë nuk është paguar nga ndonjë qeveri shqiptare. Janë paguar 150 mijë USD për një faqe në “New York Times” në vitin 2002 nga një qeveri e majtë; janë paguar 200 mijë euro për një spot publicitar në “Euronews” nga një qeveri e djathtë në vitin 2007. Por jo për një histori Shqipërie. Sot historia e Shqipërisë duhet të bëhet për dy dekadat e fundme. Kryeministri duhet të përgëzohet që solli në vëmendje kohët e fundme se edhe antifashizmi është një faqe e ndritur e shqiptarëve, sepse i vendosi ata në anën e fitores.

Në 25-vjetorin e vetëqeverimit, kur Shqipëria edhe njihej, edhe nuk njihej, kishte një komision autoritar, me njerëz të dijes, të angazhuar në komisionet më të rëndësishme të kremtimeve, prej At Gjergj Fishtës deri tek Ali Asllani. Këto komisione, madje shpallën dhe një konkurs kombëtar për një himn të ri të kombit dhe tekstet u botuan me kode të shifruar, siç e do nderi i një konkursi të drejtë. Po ashtu, u vendos të botohej dhe kolana e famshme “Visaret e Kombit”, që arriti deri në numrin XV, përgatitur nga Shaban Shoshori, me lirikë popullore të Shqipërisë së Mesme. Mbi të gjitha, At Gjergj Fishta, pikërisht në vitin 1937, përfundoi, pas më shumë se 30 vjetësh, poemën epike-heroike “Lahuta e Malcis”. Por kush do ta përkujtojë 100-vjetorin sivjet? Ish-ministra që premtojnë të kthejnë në Shqipëri eshtrat e Ismail Qemalit, që u varros në vendlindjen e tij në Kaninë qysh në kohën kur u nda nga kjo jetë? Qeverisës që vajtojnë për “piedestalet bosh”, duke përfytyruar veten mbi to?

Pyetja është e thjeshtë: a ka autoritet Shqipëria të festojë 100-vjetorin e vet? A. Zogu, më 1937 dhe më 1939, prodhoi monedha ari me fytyrën e vet që sot vlerësohen nga 35-40 mijë euro secila. Cilat janë fytyrat që do të promovojë shteti shqiptar në qindvjetëshin e vet? Po të merret lidershipi politik: Princi Wied jo, se ishte i huaj. Esad Pasha jo, se ishte tradhtar. Katërshja e çerekmbretërve të Kongresit të Lushnjës jo, se nuk kishte fituar Legaliteti. Noli jo, se ishte peshkop i kuq. Zogu jo, se ishte anadollak. Mehdi Frashëri jo, se ishte kolaboracionist. Enveri jo, se ishte komunist. R. Alia jo, se vazhdoi rrugën e Enverit. Askush. Nobody. Nothing. Nessunno. Aucunne. Po të kthehemi tek letërsia, kemi edhe më shumë hesape për të larë. Mjafton të themi se disa prej emrave më të ndritur të kësaj letërsie: Musine Kokalari, Jusuf Luzaj dhe të tjerë, nuk i njeh njeri as si emra. Dhe ndërkaq, nderohen si nderi i kombit sportistët e fshatit dhe garuesit e diletantëve.

Viti 2012 është një vit i brishtë, duke iu referuar të gjithë kalendarëve të mundshëm. Është vit që plotëpjesëtohet me katër, është vit me shkurtin të gjatë (29 ditë). Këtë e ka rregulluar natyra, e kanë rregulluar themeluesit e kalendarëve gregorian e julian. Por a mos vallë ky vit nuk do të jetë thjesht i brishtë, por dhe i trishtë? Kjo varet shumë se kë do të zgjedhë të nderojë. Tani për tani një gjë është e qartë: zgjedhja është kë do të turpërojë, dhe kjo e bën vitin 2012 jo një vit të brishtë, por një vit të trishtë. Kur të vërehet se dikush, ka vendosur se kush do të nderohet në 100-vjetorin e vetëqeverimit, nëse vërtet jemi vetëqeverisur gjatë këtij shekulli, atëherë mund të thuhet: Po, rrotullimi i botës e solli vit të brishtë, por shqiptarët nuk e lanë të bëhej vit i trishtë …(SHQIP)

SHPËRNDAJE