Zbardhja e rrethanave të vrasjes së Xhemajl Mustafës, veprimtarit të shquar të LDK-së dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të kryetarit Ibrahim Rugova, ka kaluar në duart e prokurorëve të Kosovës.

Njëmbëdhjetë vjet pasi lënda është trajtuar nga shumë prokurorë të huaj, ajo është vendosur të transferohet te prokurorët vendorë, të cilët do të jenë përgjegjës për ta zbardhur rastin. Sipas burimeve të medieve që shkruajnë për këtë rast, një prokuror vendor nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë do ta ketë për obligim hetimin e rastit të vrasjes së Xhemajl Mustafës, ndërsa vendimi për këtë hetim është marrë pasi që prokurorët e EULEX-it kanë hequr dorë nga kjo lëndë.

Para 15 ditësh kjo lëndë ka kaluar nga prokurori i EULEX-it te Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, e cila pas këtij kalimi ka vendosur që lëndën për hetim t’ia kalojë një prokurori vendor, i cili është autorizuar të vazhdojë hetimet në këtë lëndë. Lajmi për transferimin e kësaj lënde është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Qarkut të Prishtinës, Aleksandër Lumezi. Sipas tij, kjo lëndë fillimisht kishte qenë kompetencë e prokurorëve të UNMIK-ut, ndërsa pas kësaj prokurorët e EULEX-it e kishin marrë në trajtim.

Këta të fundit, sipas Lumezit, para 15 ditësh e kanë kthyer lëndën te prokurorët vendorë të Prokurorisë së Qarkut, njëri prej të cilëve tashmë është ngarkuar ta kryej hetimin. Xhemajl Mustafa (1954) është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në lagjen “Dardania” të Prishtinës, një muaj pasi LDK kishte fituar bindshëm zgjedhjet e para lokale.

SHPËRNDAJE