Koncerti i parë ku pritet të njihemi me Orkestrën Simfonike Filarmonike Mbarëshqiptare është vjeshta e këtij viti. Më tej do të ketë një program të plotë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Tetë muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia bënë publike për median themelimin e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare, institucionit më të ri kulturor mes trevave shqipfolëse. Në prezantim ishin të pranishëm, muzikantët: Desar Sulejmani (Shqipëri), Baki Jashari (Kosovë), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku, (Kosovë), Fatos Lumani, (Maqedoni) Pjetër Guralumi (Shqipëri), dhe Bujar Alliu (Shqipëri). Iniciatorët e kësaj orkestre janë pedagogë në Akademitë e Arteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi dhe disa prej tyre, drejtojnë Fakultetet e Muzikës në vendet e tyre. Institucioni i ri u njoh nga Gjykata e rrethit Tiranë. Organizatorët shpjeguan që institucioni ka funksionin e një organizate artistike mbarëkombëtare, që ka për qëllim bashkimin kulturor dhe artistik të të gjithë muzikantëve nga trevat shqipfolëse që jetojnë në Evropë dhe botë. U fol gjatë për angazhimin e muzikantëve shqiptarë kudo që janë, për krijimin e një fryme bashkëpunimi përmes koncerteve, kurseve dhe simpoziumeve te ndryshme dhe ballafaqimin e niveleve mes tyre. “Studentët tanë nuk njihen shumë me njeri-tjetrin dhe komunitet artistike po ashtu”, e hapi fjalën Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, duke shpjeguar funksionin primar të Orkestrës. Ende është herët për të folur për një strukturë dhe programe të qarta. Tani për tani, tetë themeluesit kanë edhe funksionin e bordit artistik. Ata përzgjedhin programet, ata përzgjedhin instrumentistët. Deri sa të ketë një strukturë të kompletuar, në orkestër mendohet të pranohen ata muzikantë me përvojë dhe të rinj që afrohen pranë saj. “Prurjet më të mira nga të gjitha trevat” u tha në konferencë, që mendohet të angazhohen me sistem rotacioni. Rezidencat ku pritet të interpretojë Orkestra Filmarmonike nuk janë vendosur ku do të jenë saktësisht, por dihet që do të ketë nga një në të gjitha trevat shqipfolëse. Po nga do vijnë financat? Të nxitur nga entuziazmi, organizatorët e lanë për në fund këtë çështje. U fol për krijimin e lidhjeve të ngushta me politikbërësit, por asnjë gjë konkrete. U bë e qartë edhe që kjo orkestër nuk do mund të zhvillohet pa mbështetjen politike dhe shtetërore, por fillimisht mendohet të funksionojë me projekte. Sulejmani shpjegoi që i është çuar një projekt edhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Shqipëri. Do synohet një fond përkatës edhe nga ky institucion. Koncerti i parë ku pritet të njihemi me Orkestrën Simfonike Filarmonike Mbarëshqiptare është vjeshta e këtij viti. Më tej do të ketë një program të plotë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare e ka dhënë premierën e saj artistike më datë 20 nentor 2010 në Mynih të Gjermanisë në një koncert bamirësie për fëmijë, organizuar nga Shoqata humanitare “Nënë Tereza”.

SHPËRNDAJE