Pikërisht, më 1 dhe 2 mars shënohet 25 vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur atëbotë Shqiptarët e Luginës së Preshevës qenë deklaruar për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”

 

Luginë e Preshevës, 26 shkurt – Në vigjilje të ngjarjes me rëndësi historike, pikërisht më 1 dhe 2 mars shënohet 25 vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur atëbotë Shqiptarët e Luginës së Preshevës qenë deklaruar për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”..

Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe të mbetet datë historike dhe rezultati më i rëndësishëm historik për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, e posaçërisht rezultat me rëndësi historike e dy forcave të para politike, Partisë për Veprim Demokratik dhe Partisë Demokratike Shqiptare, që ftuan popullatën e këtij rajoni për të dalë në Referendum për Autonomi politike – territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Dy partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare dy vjet më parë, para mbajtjes së Referendumit për Autonomi politike – territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, atëbotë patën filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në vigjilje të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, çështje kjo me rëndësi historike që me këtë rast do theksuar se ishte edhe uniteti në veprim që në ato momente historike e arritën dy subjektet politike (PVD dhe PDSH).

 

Përveç, dy partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare që unifikuan qëndrimet e tyre me rëndësi historike, gjithsesi në këtë kontekst nuk duhet harruar edhe funksionin dhe rolin e pakontestueshëm të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të kryesuar nga presidenti historik; Ibrahim Rugova. Do theksuar se karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia pati siguruar aso kohe edhe organizimi i tij, jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

 

Nga kjo hapësirë kohore 25-vjeçare (një çerek shekulli), për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit, jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e këtij rajoni deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetëror, atëbotë ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Tani, ndonëse po mbushen 25 vjet nga mbajtja e Referendumit të Shqiptarëve të Luginës, statusi politik i këtij rajoni, nuk ka ndryshuar në të mirë. Shqiptarët gjatë këtyre viteve kanë fituar vetëm pushtetet lokale dhe ndonjë përfaqësim simbolik në Parlamentin serb dhe në Trupin Koordinues.

 

Por, ajo çka i shqetëson më tepër shqiptarët e Luginës është se pas çdo plasaritje politike brenda-partiake ka rezultuar me formime të partive të reja, e çka fatbardhësisht, apo fatkeqësisht shqiptarët gjatë kësaj periudhe nga dy parti sa kishin asokohe, (1992) gjatë Referendumit, tashmë kanë arritur shtimin e tyre rreth 10 sish. Po gjendja e shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përvjetor të 25-të të Referendumit historik mbetet e brishtë dhe me probleme politike dhe ekonomike, nga më të ndryshmet. Në këtë drejtim do theksuar se ende nuk është zgjidhur me ligj përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, nuk është zbatuar në praktikë dygjuhësia, vendi vazhdon të jetë i mbërthyer me forca të shumta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe policisë. Edhe më tej vazhdon të jetë edhe sot aktuale migrimi i popullatës në perëndim, për shkak varfërisë ekstreme dhe papunësisë, dhe po ashtu vazhdon të jetë, jo i kënaqshëm integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore etj.

 

 

Të gjitha këto vijnë si pasojë e mos-unitetit politik të partive të shumta politike në Luginë, të cilat luftojnë për pushtet e interesa të ngushta personale, duke i lënë anash interesat e përgjithshme qytetare e kombëtare. Ky mos-unitet partiak, shpesh i sjellë në siklet Beogradin, Prishtinën e Tiranën, të cilat janë bërë imun me qëndrimet e tyre të ndara politike, me përçarjen dhe mospajtimet e natyrave të ndryshme, të cilat vërehen edhe në shënimin e ngjarjeve me rëndësi historike, siç është rasti me Referendumin, si njëra nga proceset më të rëndësishme historike të shqiptarëve të këtij rajoni. Liderët e partive politike të Luginës duke evokuar në të kaluarën për këtë ngjarje historike për Shqiptarët e Luginës së Preshevës vlerësuan se Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 – Referendum për Autonomi politike – territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës, ishte dhe do të mbetet datë historike dhe rezultati më i rëndësishëm historik për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ngase popullata iu përgjigj masivisht ku dolën mbi 46 mijë votues, apo 98 për qind, me ç`rast pasi që popullata iu përgjigj versionit pozitiv edhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm.

 

Lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi thekson: “Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet datë historike dhe rezultati më i rëndësishëm historik për Shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka vlerësuar Halimi, duke shtuar se “zgjidhja e pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës paralel me realizimin e plotë të kompetencave të pushteteve lokale dhe të Këshillit Nacional të Shqiptarëve edhe me zgjerimin e kompetencave shtuese përmbajtësore në fushën e vetadministrimit rajonal të paraparë me Platformën politike të janarit 2006, do t’i plotësonte në shkallë të madhe kërkesat për autonomi politike e territoriale të paraqitura me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, të cilat janë paraqitur në Deklaratën politike për themelimin e Kuvendit për shpalljen e Referendumit për autonomi politike e territoriale të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

 

 

“Në fjalinë përfundimtare të Deklaratës së Kuvendit për shpalljen e Referendumit për autonomi territoriale politike të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ishte theksuar se “në rast të ndryshimit të kufijve në mes të njësive konstituive të federatës jugosllave, shqiptarët e këtyre komunave përcaktohen për bashkim me Kosovën në kuadër të proceseve demokratike të zgjidhjes së krizës jugosllave”, ka sqaruar Halimi, duke shtuar : “Gjithsesi, në këtë kontekst nuk duhet harruar dhe funksionin dhe rolin e pakontestueshëm të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të kryesuar nga presidenti historik Ibrahim Rugova”.

 

 

Edhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, thekson: “Në vazhdimësi do të intensifikojmë dhe koordinojmë veprimet politike dhe bashkëpunimin me faktorin politik shqiptar në rajon, me qëllim të realizimit të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve gjer në zgjidhjen e statusit të Luginës së Preshevës, natyrisht në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me ndërkombëtarët”. Edhe më tutje, sipas Mustafës, përpjekjet e PDSH-së do të fokusohen në jetësimin e referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, si dhe të platformës politike të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të tri komunave, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të datës 14 janar 2006. “PDSH riafirmon ndërkombëtarisht verdiktin e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës të shprehur në referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992, në të cilin qytetarët e këtij rajoni u shprehën për autonomi politike dhe territoriale me të drejtë bashkëngjitje me Kosovën, si zgjidhje më e drejtë dhe reale që mundëson respektimin e të drejtave të njeriut për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, vlerëson, Mustafa, duke shtuar: “PDSH shpreh shqetësimin e thellë për zvarritjen diplomatike të zgjidhjes së statusit të serbëve në veriun e Republikës së Kosovës dhe për tentativat e tyre kohët e fundit për mundësinë e ndarjes së territorit të saj me ndërtimin e mureve ndarëse.

 

 

Ndarja e territorit të Republikës së Kosovës është e papranueshme dhe e padëshirueshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por nëse ky opsion provokohet nga faktorë të ndryshëm atëherë edhe populli shqiptar i Luginës së Preshevës do të ndërmarrë veprimet e tij për rishikimin e statusit të tyre politik në korrelacionin Serbi-Kosovë”. Partia Demokratike Shqiptare, thekson Mustafa, aktivitetin e saj politik do ta orientojë në realizimin dhe jetësimin e verdiktit paqësor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që këto troje të jenë pjesë e pandarë e Republikës së Kosovës. Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ish-drejtor i Këshillit Politik të UÇPMB-së, tani lider i LPD-së, duke ngjallur kujtime nga kjo ngjarje me rëndësi historike theksoi: “Lugina e Preshevës, e ka dhënë verdiktin për bashkim me Kosovën” “Pavarësisht deklaratave provokative, të zyrtarëve serbë, edhe ata e dinë se Lugina e Preshevës, ka kaluar nëpër disa procese, të cilat kanë dëshmuar verdiktin e popullit për bashkim me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë historisë”, thekson Musliu, duke shtuar: “Po ua përkujtoj Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për bashkim me Kosovën, pastaj lufta çlirimtare e UÇPMB-së, Marrëveshja e Konçulit dhe Platforma politike e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së vitit 2006”.

 

“LPD mbështet procesin e dialogimit midis Prishtinës dhe Beogradit dhe kërkon përfshirjen e Luginës së Preshevës në këto negociata. Duhet të gjenden mekanizma për ta shtruar në tavolinën e bisedimeve edhe problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, sqaron Musliu, duke shtuar se “ LPD përmes kësaj Deklarate Politike, rikujton edhe njëherë verdiktin e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës të shpalosur demokratikisht në referendumin e 1-2 Marsit 1992, në të cilin qytetarët e këtij rajoni u shprehën për Autonomi politike dhe territoriale me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën, si zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, që mundëson respektimin e të drejtave njerëzore dhe etnike për shqiptarët e Luginës së Preshevës”. “Tërheqim vëmendjen e faktorëve relevantë ndërkombëtarë që të përcjellin me kujdes situatën e rënduar politike në Luginën e Preshevës dhe të ndërmarrin hapat e duhur për përmirësimin e shpejtë të saj”, vlerësojnë liderët politikë të Luginës, duke shtuar: “Mungesa e vëmendjes dhe angazhimit ndërkombëtar do të ishte me pasoja të padëshiruara për popullin e Luginës, për Serbinë dhe mbarë rajonin”. Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE