Nishani takohet me Isa Mustafën: Zhvillimi, e vetmja rrugë ku duhet të ecim

Prishtinë, 30 gusht 2012, NOA- Presidenti Bujar Nishani në kuadër të vizitës shtetërore që po zhvillon në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, njëkohësisht kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Presidenti Nishani vlerësoi punën e strukturave vendore të kryeqytetit kosovar për të përballur me sukses të gjitha sfidat që parashtron për këtë komunë, detyrimi për t’i shërbyer në çdo kohë dhe për të gjitha nevojat qytetarëve të saj, raporton noa.al.

“Jam i bindur në përgjegjësinë e madhe që ju keni. Fatmirësisht e ndiej se sa e rëndësishme është puna dhe misioni juaj, sepse edhe unë kam patur fatin ta nis karrierën politike si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas aktiviteti politik vijoi me një dinamikë më të madhe. Për mua të zgjedhurit e pushtetit vendor nga ana e qytetarëve kanë një ngarkesë dhe përgjegjësi shumë të madhe, sepse puna dhe kontributi i tyre është i lidhur me çdo hallkë, me çdo problem e me çdo nevojë të qytetarit, nga mëngjesi deri në darkë”, u shpreh presidenti Nishani.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohje dhe vlerësim për punën, për vizonin që ka shfaqur kryetari Mustafa, për kontributet që ka dhënë në zhvillimin e këtij qyteti në interes të jetës së përditshme të qytetarëve, raporton noa.al.

“Jam i bindur që atë vlerësim dhe mbështetje që ju keni marrë nga qytetarët e Prishtinës, me përgjegjësinë, përkushtimin dhe kontributin tuaj ia keni shpërblyer dhe do t’ia shpërbleni, sepse zhvillimi është e vetmja rrugë në të cilën ne duhet të ecim. Jam i bindur që edhe bashkëpunimi juaj edhe me qytete si Tirana apo me qytete të tjera, me bashki dhe komuna të tjera, është një nevojë dhe një interes i përbashkët. Përvojat e dyanshme janë një mjet i mirë për të rritur përgjegjësinë e angazhimit të pushtetarëve vendorë”, vlerësoi presidenti Nishani.

Duke u ndaluar tek 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, presidenti theksoi se kjo është një festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët.

“Është një festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, sepse Pavarësia e Shqipërisë, që ishte vendosja e gurit themeltar të dimensionit të shtetit shqiptar e dha sinjalin dhe e ndezi dritën e saj për të ecur në këtë rrugë në Kuvendin e madh të Lidhjes së Prizrenit dhe u përfundua nga burrat shqiptarë në Vlorë. Ndaj kjo është festa jonë e përbashkët. Është festë e çdo shqiptari. Është edhe moment përtej gëzimit, përtej festimit dhe për ndriçuar akoma edhe më shumë vizionet tona drejt së ardhmes”, nënvizoi ndër të tjera ai.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa shprehu vlerësimin e lartë dhe nderimin që presidenti Bujar Nishani i bën Komunës së kryeqytetit përmes kësaj vizite tepër të shumëpritur dhe të dëshiruar për qytetarët prishtinas.

Ai informoi presidentin Nishani për zhvillimet në qytetin e Prishtinës dhe ka thënë se shkëmbimi i përvojave të mira mes dy kryeqyteteve është një nevojë dhe interes i përbashkët.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni