Nishani pret Wolfarth: Përcaktimi i reformave, suksesi i bashkëpunimit tonë

Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Eugen Wolfarth.
Duke falenderuar ambasadorin Wolfarth për mesazhin e tij inkurajues pas zgjedhjes si President i Republikës, Nishani solli në vëmendje bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh të mëparshëm me OSBE kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme.

“Suksesi i bashkëpunimit tonë ka qenë i bazuar së pari në përcaktimin e prioriteteve për reformat që duhet të ndërmerreshin dhe së dyti në vendosjen e bashkëpunimit në terma konkretë. Bashkëpunimi ynë ka sjellë rezultate dhe përfitime konkrete. Besoj fuqimisht se do të kemi të njëjtin nivel bashkëpunimi me OSBE edhe gjatë mandatit tim si President i Republikës”-theksoi Nishani.

Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri Z. Wolfarth shprehu edhe njëherë përgëzimet për zgjedhjen e z. Nishani në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës, si dhe besimin se bashkëpunimi i mëparshëm me institucionet e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme nën drejtimin e Nishanit përbën një bazë të shkëlqyer për të vijuar me sukses bashkëpunimin edhe me institucionin e Presidentit të Republikës.

Nishani dhe Wolfarth shprehën angazhimin për të punuar së bashku për krijimin e një mjedisi dhe klime bashkëpunuese mes të gjithë forcave politike në vend për të çuar përpara dhe konkretizuar përpjekjet për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, e po kështu edhe diskutimet për kufizimin e imuniteteve të deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë, si dhe kryerjen e reformave në fushën e dretjësisë ku do të jetë i domosdoshëm kontributi i drejtpërdrejtë i komunitetit të gjygjtarëve dhe prokurorëve.

Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani priti gjithashtu në takim Ambasadorin e Brazilit z. Ruda G. Seferin.
Ambasadori Seferin i dorëzoi Presidentit Nishani një mesazh urimi me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë, nga Presidentja e Republikës Federative të Brazilit Znj. Dilma Rousseff.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni