Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani përmes një letre dërguar sot Kryetarit të Partisë Demokratikee njofton për largimin nga anëtarësia në Partinë Demokratike dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti

Ky largim vjen pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Republikës dhe në zbatim të përcaktimit kushtetues, ku Presidenti i Republikës nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie politike.

Presidenti Nishani, me këtë rast, ka nënvizuar të gjithë përgjegjshmërinë e tij për të qenë një President tërësisht jashtë ndikimeve politike të çdo pale dhe një përfaqësues i interesave të qytetarëve, vendit dhe kombit.

Ceremonia e Presidentit të ri, me të shtëna të simuluara topi

Ende nuk është mbyllur axhenda e ceremonisë së dorëzimit të Presidentit Bamir Topi dhe marrjes së detyrës nga presidenti i zgjedhur Bujar Nishani. “Kleçka” që ka mbetur pa u zgjidhur është se kush do t’ia dorëzojë Kushtetutën e Republikës kreut të ri të shtetit.

Sipas “Shqip”, tri stafe po negociojnë për të vendosur përfundimisht nëse do të jetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, apo kryetarja e Gjykatës së lartë, Shpresa Beçaj. Në ceremonitë paraardhëse të vitit 2002 dhe vitit 2007, ka qenë presidenti që ka lënë detyrën ai që ka dorëzuar ligjin themeltar të shtetit pasardhësit të tij. Por siç mësohet, ky detaj është ndryshuar edhe sipas preferencës së presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani.

Siç mësohet nga burime të stafeve që po përgatisin evenimentin e 24 korrikut, në lidhje me këtë aspekt janë marrë modelet e ceremonive të shteteve perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës apo dhe Gjermanisë. Me kalimin e “pengesës” së njeriut që do t’i dorëzojë Nishanit, Kushtetutën, gjithçka është tashmë e vendosur në axhendën e ceremonisë që do të bëhet zyrtare gjatë mëngjesit të ditës së sotme. Një tjetër detaj ndryshe në eveniment, është se nuk do të ketë të shtëna reale me top, por një simulim i zhurmës që po studiohet sesi do të kryhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Shmangia e goditjes me top është bërë për arsye konkrete dhe sigurie. Konkrete, pasi në ambientet e Presidencës nuk ka të instaluar artileri të lehtë përveç një kundërajrori dhe për arsye sigurie, pasi kemi të bëjmë me qendrën e qytetit. Ceremonia e instalimit të Bujar Nishanit në selinë e kreut të shtetit, do të ketë dy pjesë, atë të betimit në Parlament dhe ceremoninë e “investiturës”, që ndryshe nga dy herët e tjera nuk do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, por në selinë e Presidencës. Gjithçka do të fillojë në orën 19:30 të datës 24 korrik, ku përpara selisë së kreut të shtetit shqiptar do të ngrihen tri podiume dhe do të ketë gjithsej 600 të ftuar. Podiumi i parë do të jetë me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, podiumi i dytë me drejtuesit e lartë të shtetit dhe podiumi i tretë me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë shqiptare.

Në ceremoni janë ftuar të marrin pjesë ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, ish-kryeministrat, si dhe lideri i opozitës, Edi Rama. Një tjetër moment i rëndësishëm që është ndryshe këtë vit në ceremoninë e presidentit, është heqja e fjalimit të kreut të shtetit që lë detyrën. Burime nga stafet kanë bërë të ditur se kjo ka qenë dëshira kryesisht e Nishanit, por që është zgjidhur me negociata mes palëve. Qëllimi, sipas organizatorëve, është që t’i jepet vëmendja e duhur dhe fokusimi mediatik, kryesisht presidentit të ri. E gjithë ceremonia në Presidencë zgjat 30 minuta, ku një pjesë e vogël e saj është dorëzimi dhe marrja e detyrës dhe pjesa më e madhe zihet nga dhënia e Kushtetutës për Nishanin, fjalimi i tij, si dhe kalimi në revistën e nderit. Pas ceremonisë do të mbahet një pritje në ambientet e Presidencës, ku Nishani do të bëjë të “zotin e shtëpisë”, pasi Topi do të largohet që në pjesën e parë.

SHPËRNDAJE