Produksioni “Nil Production” nga Kosova ka lansuar ftesën për kineastët shqiptarë që duan të bëhen pjesë e Javës së Filmit Shqiptar në New York. Regjisorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Presheva dhe diaspora kanë kohë deri më 30 të këtij muaji që të aplikojnë me filma. “Java e filmit shqiptar” në New York, do të mbahet prej 5 deri më 11 nëntor.

 

Preshvë, 30 shtator

 

Njëqind filma shqip për shtatë ditë do të pushtojnë tri teatro amerikane. Përvjetori i 100-të i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar është bërë shkak që në New York, për herë të parë, të organizohet “Java e filmit shqiptar”. “100 për 100” është moto e evenimentit kulturor të organizuar nga “Producers Club Theatre” që menaxhohet nga shqiptarët në ShBA dhe produksioni “Nil Production” nga Kosova, njofton “koha.net. Ky i fundit ka lansuar ftesën për kineastët shqiptarë që duan të bëhen pjesë e Javës së Filmit Shqiptar në New York. Regjisorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Presheva dhe diaspora kanë kohë deri më 30 të këtij muaji që të aplikojnë me filma. “Java e filmit shqiptar” në New York, do të mbahet prej 5 deri më 11 nëntor.

 

“Java e filmit shqiptar” dërgon 100 filma në New York

Regjisorja Mrika Krasniqi, njëherësh organizatore e “100 për 100”, ka thënë se në kuadër të javës kushtuar kinematografisë shqiptare, do të shfaqen filma të metrazhit të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.

“’Java e filmit shqiptar’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pari në llojin e tij. Amerika është ndër vendet me numrin më të madh të shqiptarëve aktivë në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, të cilët do të jenë nikoqirë të këtij evenimenti”, ka thënë Krasniqi. Sipas Krasniqit, “Java e filmit shqiptar” në New York mëton të sjellë një imazh ndryshe për realitetin kulturor politik dhe shoqëror në vendet ku jetojnë shqiptarët.

“Kjo do të hapë një dialog për kulturën aktuale të filmit shqiptar dhe t’ia ofrojë kinemanë shqiptare audiencës së SHBA-së, duke hapur një perspektivë të mirë për ruajtjen dhe vazhdimësinë e kulturës tonë”, ka thënë Krasniqi. Përveç shfaqjes së 100 filmave, “Java e filmit shqiptar në New York përfshin edhe aktivitete tjera.

“Gjatë ditëve sa do të zgjasë ky manifestim, regjisorë, skenaristë, aktorë e kineastë të profileve të ndryshme do të paraqiten në një debat kushtuar historisë së kinematografisë shqiptare në etapa të zhvillimit të saj. Duke përfshirë këtu fillet e kinematografisë në Shqipëri, Kosovë e deri në ditët e sotme, përfshirë filmografinë e shtëpive filmike private deri te krijimet artistike të pavarura”, ka shpjeguar ajo.

Sipas Krasniqit, shfaqja e 100 filmave shqiptarë të zhanreve të ndryshme do të jetë një pasqyrë e artit dhe kulturës shqiptare.

“Nëpërmes botës së filmit publiku shqiptar dhe ai amerikan do të ketë mundësi të njohin për së afërmi, historinë, kulturën dhe rrethanat politike-shoqërore të shqiptarëve kudo që ndodhen në trevat shqiptare dhe me gjerë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, debatet mes artistëve, sipas Krasniqit, kanë një tjetër mision.

“Nëpërmes debatit me artistët shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevës dhe diasporës do të mundësojmë krijimin e bashkëpunimeve të reja në mes artistëve shqiptarë kudo që ndodhen, si dhe artistëve amerikanë. Zhvillimi i kontakteve ndërkulturore në mes të artistëve shqiptarë do të mundësojë depërtimin e kulturës dhe artit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

SHPËRNDAJE