Të gjitha forcat politike duhet të bashkëveprojnë sot në mënyrë që të arrihet të bashkohen të gjitha trojet shqiptare nga Presheva deri në Prevezë.

 

Në ditën e përkujtimit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, hodhi idenë e krijimit të një panteoni për të kujtuar rilindësit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e Shqipërisë. Këtë deklaratë kreu i PDIU-së e bëri gjatë organizimit që kjo parti bëri në Urën e Vogël të Tiranës me rastin e Ditës së Flamurit. “Nuk mund të kemi vëllezërit Frashëri nga liqeni, Skënderbeun në Lezhë, Ismail Qemalin në Vlorë. Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë u bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë që rilindësit të jenë të shpërndarë”, bëri thirrje Idrizi. Sipas tij, ky panteon duhet të ngrihet në zemër të Tiranës, duke i dhënë mundësinë çdo shqiptari ta përdorë këtë vend për t’u bërë nderimet e merituara, te varret e atyre që kanë dhënë një kontribut të çmuar për shtetin shqiptar. Në këtë mënyrë duket se PDIU propozon një model të ngjashëm me atë që gjendet në Arlington të Virxhinias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë të mbledhur varrezat e shumë patriotëve amerikanë. Sipas Idrizit, shqiptarët nuk duhet të mbajnë flamur kombëtar vetëm në një ditë të vitit, por përgjatë kohës ta mbajnë në ballkon flamurin e Shqipërisë. “PDIU për katër vite rresht ka organizuar thirrjen e madhe që çdo shtëpi shqiptare të ketë një flamur. Sot gjithë Shqipëria, Kosova, Çamëria janë veshur kuq e zi. Unë bëj thirrje që gjatë gjithë vitit deri në përvjetorin e 100 të pavarësisë të valëvitet flamuri kuq e zi pa reshtur në çdo shtëpi shqiptari”, theksoi kreu i PDIU-së. Sipas tij, të gjitha forcat politike duhet të bashkëveprojnë sot në mënyrë që të arrihet të bashkohen të gjitha trojet shqiptare nga Presheva deri në Prevezë. Në këtë aktivitet, të rinjtë e Klubit të Patriotëve të Rinj dhuruan për të gjithë të pranishmit dhe kalimtarët mijëra flamuj, me qëllim vendosjen e tyre nëpër shtëpitë e tyre. Kartolina urimi për pavarësinë dhe stema iu dhuruan të gjithë kalimtarëve të rastit. Dy ditë më parë, PDIU dhe shoqata “Çamëria”me rastin e festimeve të Pavarësisë dhe Çlirimit, çelën në Muzeun Kombëtar në kryeqytet ekspozitën e projekteve të fazës finale të konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë-Botë”, ku u ekspozuan tetë projektet e studiove prestigjioze nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një javë dhe më pas do të shpallet projekti fitues, në bazë të të cilit do të ndërtohen edhe varrezat monumentale në fshatin Kllogjer të Sarandës. Varrezat do të shërbejnë si monumenti përkujtimor i rreth 2600 shqiptarëve të Çamërisë, të cilët humbën jetën nga uria, etja dhe sëmundjet rrugës për në Shqipëri pas gjenocidit të ushtruar ndaj tyre nga bandat e Napoleon Zervës. Në afërsi të fshatit Kllogjer në Sarandë, në një varrezë masive prehen shpirtrat e qindra prej këtyre shqiptarëve, në një sipërfaqe që prej vitit 1991 është në pronësi të shoqatës “Çamëria”.

SHPËRNDAJE