Gjatë mbledhjes së tretë me radhë të Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike Radio Televizioni Bujanoci, që u mbajt të mërkurën, komisioni pesë anëtarësh për regjistrimin e mjeteve të inventarit dhe aparaturës së kësaj ndërmarrje evidentoi mungesën e kompjuterave, llaptopave, plazma TV, kamera, transmetues, kabllo mbi 400 metra në vlerë rreth 4.000 euro dhe shumë artikuj tjerë të aparaturës.

Avni JUSUFI

Sipas këshillit drejtues të RTB-së, më karakteristike ishte mungesa e një veture e tipit Llada karavan e cila më herët ishte pronë e kësaj ndërmarrje.

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe raporti i shërbimit të kontabilitetit dhe shërbimit të marketingut.

“U kuptua se borxhet momentale të RTB-së ishin 6.764.350.00 dinar, pastaj kishte tejkalim të buxhetit të paraparë për këtë vit, rreth 30 %,  keq orientim të mjeteve të parapara dhe të dedikuara rreth 90 %, harxhime të reprezentacionit për ushqim një vlerë marramendëse  pa mbulesë ligjore”, thuhet më tej në njoftimin e këshillit drejtues të këtij medium publik.

Shërbimi i Marketingut ka raportuar se nuk posedon dokumentacion, evidenca dhe hyrje financiare në arkë edhe pse viteve të fundit kishte kryer shërbime të marketingut për shumë persona juridik dhe fizik.

Shërbimi i furnizimit ka raportuar për furnizimin e aparaturës me shprehi të fryrjes së vlerave financiare reale.

“Po ashtu si karakteristike ishte furnizimi i konfeksionit dhe gardërobës për persona fizik, kryesisht për femra nga furnitori i njohur, kurse me fatura hyrëse fiktive u arsyetua dhe u kalkulua diçka tjetër”, njofton ky këshillë.

Paralelisht janë duke punuar dhe kontrolluar këtë ndërmarrje shërbimi i inspektoratit për delikte të kriminalitetit ekonomik, revizori për mjete buxhetore si dhe inspektori i punës.

“Si i dyshuar kryesor për keqpërdorim dhe dëmtim të pronës shoqërore në procesuim nga organet kompetente të hetuesisë në fazën fillestare gjendet S.H. ish drejtor i N.P.Radio Televizioni i Bujanocit si dhe ndihmës në kryerjen dhe përfshirjen e veprës penale keqpërdorim dhe dëmtim të pronës shoqërore janë: R.M.S.-arkatare,  S.I.-menaxher i marketingut, Z.R.-ish-kryeredaktor përgjegjës dhe N.M.- referent financiar- punëtor i kontabilitetit”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim të këshillit drejtues të RTB-së të nënshkruar nga kryetari Nexhat Behluli.

SHPËRNDAJE