Nga 2300 punësime të maqedonasve, vetëm rreth 10 % shqiptarë

 

Gjatë dy muajve të fundit janë hapur konkurse për rreth 2300 veta për tu punësuar në administratën shtetërore, prej të cilëve janë vetëm rreth 250 shqiptarë.

Kjo bëhet e ditur nga burime qeveritare, ku siç nënvizohet punësimet realizohen ekskluzivisht nga partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski, ndërsa punësimet pakicë të rreth 250 vetave realizohen përmes sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Konkurset janë hapur nga fundi i muajit shkurt e deri në fillimin e muajit prill, kur edhe janë përfunduar procedurat e realizimit.

“VMRO-DPMNE deri në momentin e fundit po tenton që të realizojë synimet e saj për punësimin e aktivistëve nëpër institucionet shtetërore. Këto janë punësime që janë realizuar dhe po realizohen deri në orët e fundit. Janë shifra shumë të mëdha të punësimeve brenda këtyre viteve të qeverisjes së kësaj partie, që kanë ndikuar shumë tani edhe në uljen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve”, theksoi për INA përfaqësuesi i lartë i Qeverisë në kushte anonimiteti.

Në tremujorshin e vitit të kaluar u realizuan punësimet e mbi 5 mijë administratorëve dhe të punësuarve të tjerë nëpër institucione që ishin vetëm me kontrata pune. Në kuadër të kësaj shifre mbi 80 për qind ishin të punësuar maqedonas, që përfituan vendimet e punës.

Maqedonia është vendi me administratë më të ngarkuar në rajon dhe se në këtë drejtim, institucionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për reformim dhe shkurtime të vendeve të punës. Sipas shifrave të fundit, Entit të Statistikave, janë mbi 130 të punësuar në institucionet publike shtetërore dhe se mbi 66 për qind e buxhetit të shtetit shkon ekskluzivisht për rrogat e tyre.

Sekretariati qeveritar për Marrëveshjen e Ohrit, një institucion qeveritar në nivel të zëvendëskryeministrisë akoma nuk ka nxjerrë numrat e saktë dhe një analizë se sa janë të punësuar shqiptarët në institucionet shtetërore, edhe në këtë vit të shënimit të përvjetorit të 10 të Marrëveshjes së Ohrit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni