Dega e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) në Pejë sot ka pritur Kryetarin e kësaj partie, akademik Nexhat Dacin me bashkëpunëtor, i cili ka takuar strukturat e saj dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim të hapur. Takimin e ka hapur nikoqiri, kryetari i degës së LDD-së në Pejë, Dr. Shefqet Ukaj, i cili pasi i ka përshëndetur të pranishmit ka njoftuar për aktivitetin e degës të cilën e udhëheq.

“Ne si degë e LDD-së në Pejë kemi vendosur të shkojmë prapa akademikut tonë të nderuar dhe besojmë se vlerat sërish do të vijnë në shprehje në shtetin tonë ngase i nevojitën këtij populli”, tha Ukaj.

Po ashtu ai njoftoi se në degën e Pejës asnjë anëtar i LDD-së nuk e ka lëshuar partinë. “Në një të ardhme jo fort të largët ne kemi me qenë krenar që e kemi pas këtë politikë dhe që jemi anëtar të LDD-së. Dega e LDD-së në Pejë është shumë kompakte dhe do të vazhdojmë së bashku”, tha ndër të tjera Ukaj.

 

Për aktualitetin politik të pranishmit i njoftoi kryetari i LDD-së, akademik Nexhat Daci i cili duke numëruar arsyet të cilat bën që LDD të mos jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës tha: “Të tjerët me çdo kusht luftuan që LDD të mos jetë pjesë e Kuvendit për të mos ua prishur rahatinë për ta plaçkitur Kosovën, edhe vendorëve edhe ndërkombëtarëve; të mos respektohet fare integriteti territorial i vendit, të mos funksionalizohen doganat, të mos respektohet kushtetuta. Pjesa dërrmuese e udhëheqësisë së Kosovës është e shantazhuar”.

 

Duke folur për gjendjen në vend, kryetari Daci shtoi: “Kosova është i vetmi vend në botë në geto të plotë. Edhe shtetasit e Afganistanit e Irakut kanë mundësi më të mëdha lëvizjeje sesa kosovarët. Jemi vendi më i varfër në Evropë dhe i 171 në botë. Kjo është bërë kësisoj me qëllim që Kosova të mos bëhet shtet kurrë ngase janë zgjedhur njerëzit që veprojnë nën urdhra për ta udhëhequr Kosovën. Njerëzit që mendojnë ndryshe shukatën ose eliminohen në forma të ndryshme”.

SHPËRNDAJE