Talenti brazilian, Nejmar ka deklaruar se synimi kryesor i Përfaqësueses së tij në Lojërat Olimpike “Londra 2012” është stolisja me medalje të artë.

Ai ka thënë se kur ishte fëmijë gjithmonë e ka ndjekur me interesim të madh turneun olimpik të futbollit dhe ëndrra e tij ka qenë që një ditë të luajë në Olimpiadë. Kjo ëndërr tashmë po i realizohet, ngase ylli i Santosit do ta udhëheqë Brazilin në rrugën drejt medaljes së artë në Olimpiadën e Londrës. “Më kujtohet se kur isha fëmijë gjithmonë e përcillja Olimpiadën dhe atë jo vetëm turneun e futbollit. Për mua është nder i madh të luajë në Kampionate botërore dhe në Lojërat Olimpike. Olimpiada është aktiviteti më madhor në botën e sportit dhe një garë mjaft interesante. Aty marrin pjesë të gjithë, jo vetëm futbollistët, por edhe yjet e sporteve tjera. Me të vërtetë është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një gare të tillë globale”, ka theksuar Nejmar, për të shtuar: “Brazili sivjet më shumë se kurrë më parë e dëshiron medaljen e artë. Brazili gjithmonë bën pjesë në mesin e favoritëve, pa marrë parasysh se për çfarë gare bëhet fjalë. Mendoj se sivjet kemi gjasa të mëdha për të korrur sukses. Kemi një skuadër me futbollistë të shkëlqyeshëm, të cilët kanë potencial dhe talent të madh”.

SHPËRNDAJE