Negociatat për Presidentin do të mbledhin në takim për të dytën herë kreun e mazhorancës Sali Berisha dhe atë të opozitës Edi Rama. Dy liderët e partive kryesore në vend do të takohen sonte në orën 19:00 te Kryesia e Kuvendit.

Pritshmëritë e të dytës tryezë bisedimesh PD-PS kësaj here janë të mëdha për gjetjen e një konsensusi mes palëve, nisur dhe nga tërheqja e dy ditëve më parë nga gara të Xhezair Zaganjorit, kandidaturë kjo e kontestuar nga kryesocialisti Rama.

Më herët kreu i PS, Rama në një konferencë për shtyp deklaroi se mundësia për konsensus për t`i dhënë vendit një president konsensual është shumë afër, duke konfirmuar gatishmerine per te pranuar çdo ftese per dialog e negociata për të zgjedhur në mënyrë konsensuale presidentin e ardhshëm.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është shprehur optimist që të hënën mund të kemi një president të ri, mundësisht me konsensus.

Ditën e hënë pritet që të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

SHPËRNDAJE