Në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc u përurua solemnisht objekti i renovuar i shkollës qendrore të fshatit. Në këtë përurim morën pjesë udhëheqësia e pushtetit lokal të Bujanocit, në krye me kryetarin, Shaip Kamberin, deputeti popullor, Riza Halimi, kryetari i Këshillit Kombëtar, Galip Beqiri, si dhe mësimdhënës, veteranë të arsimit e prindër të nxënësve.  

Ternoc, 2 nëntor/AIK-Presheva Jonë

Enis SALIHI 

Renovimin e objektit të shkollës qendrore të fshatit e ka financuar pushteti lokal i Bujanocit, i cili ka ndarë 11 milionë dinarë për këtë projekt.

            Renovimi i shkollës ka kushtuar rreth 11 milion dinarë, apo rreth 110 mijë euro, të ndara nga buxheti i komunës së Bujanocit. Kompania që ka kryer punët “Al – Europa” nga Tërnoci, ka bërë ndërrimin e dyerve dhe dritareve, ndërtimin e kulmit të ri, fasadimin e objektit nga brenda e jashtë, si dhe instalimin e ndriçimit të ri. Gjithashtu janë blerë të gjitha bankat dhe karrigat e reja.  

            Valbona Tefiku, drejtoreshë e shkollës “Muharrem Kadriu”  duke falënderuar pushtetin lokal të Bujanocit shprehu kënaqësinë e saj lidhur me realizimin e këtij projekti. Ajo thotë se deri më tani në këtë objekt kushtet ishin të mjerueshme, ndërsa përmirësimi i kushteve do të sjell edhe avancimin e procesit edukativo – arsimor dhe arritjen e rezultateve më të mira.

            Agim Hasani, kryeshef i Drejtoratit për Arsim tha se projekti është realizuar në saje të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm më udhëheqësinë e shkollës. Ai shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen për realizimin e projekteve tjera, siç janë pajisja e kabineteve me mjete të nevojshme.

I kemi dhënë prioritet këtij projekti për t’i mundësuar nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle zhvillim normal të procesit mësimor, thotë drejtori i Drejtoratit për Ndërtim,  Driton Rexhepi, sepse në këtë objekt gjatë dimrit bëntë ftohtë e verës nxehtë.

Udhëheqësi i Drejtoratit për Ndërtim, Driton Rexhepi,  paralajmëroi edhe dy projekte të rëndësishme në shkollën “Muharrem Kadriu”: ndërtimin e sallës së sporteve dhe renovimin e kuzhinës së shkollës.

“Jemi duke hartuar dokumentacionin teknik rreth renovimit të kuzhinës së shkollës, ndërsa në vitin e ardhshëm pushteti lokal do të vëjë në listën e projekteve prioritare ndërtimin e sallës së sporteve për këtë shkollë”, u shpreh Rexhepi.

Edhe nxënësit u shprehen të kënaqur me renovimin e shkollës dhe përmirësimin e kushteve për mësim.  

Drejtoresha e shkollës nderoi me mirënjohje për kontributin e dhënë në renovimin e shkollës, kryetarin e komunës, Shaip Kamberin, drejtorin e Drejtoratit për Ndërtim, Driton Rexhepin, dhe kompaninë punëkryerëse “Al – Europa”, nga Tërnoci.

Për shkak të punimeve prej fillimit të vitit të ri shkollor e deri më tani në këtë shkollë, e cila ka rreth 970 nxënës, mësimi është mbajtur në tre ndërrime, ndërsa prej një nëntorit do të mësohet si zakonisht në dy ndërrime.

SHPËRNDAJE