Nuk kanë të ndalur skandalet me mbi shkrimet në gjuhën shqipe nëpër institucionet dhe rrugët e qytetit të Shkupit. Shumëkush mbetet i habitur me këto mbishkrime që bastardojnë gjuhën shqipe.

Mbishkrimet në gjuhën shqipe nëpër udhëkryqet e qytetit të Shkupit vazhdojnë akoma të ngjiten me gabime. Në përshtypjen e parë që fiton gjithsecili që si sheh, të shtyjnë të mendosh se ato përkthehen në konsultim me ndonjë kalimtar rasti e jo me persona, të cilët me profesion janë profesorë të gjuhës shqipe ose dhe përkthyes të mirëfilltë. Shembull konkret janë edhe këto tabela që po shihni. Si duket për drejtuesit e Qytetit të Shkupit, nuk është aspak pengesë që “nas. Dracevo” ose “naselba Dracevo” në shqip të përkthehet si “igj. Dracevo” që humb çdo kuptim se për çfarë konkretisht bëhet fjalë, për shkak se shkurtesa “igj” nuk ka kurrfarë kuptimi në gjuhën shqipe.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski lidhur me përkthimet e gabuara në gjuhën shqipe u shpreh se nuk ndjen përgjegjësi personale. Sipas tij, përgjegjës për mbishkrimet në gjuhën shqipe janë sektorët në kuadër të qytetit, varësisht se për çfarë shkrimi bëhet fjalë.

Por këshilltarja shqiptare në qytetin e Shkupit, Halide Palloshi duke komentuar rastet e fundit tha se kanë kërkuar që në çdo sektor dhe ndërmarrje të qytetit të pranohen përkthyes shqiptarë me qëllim të evitimit të këtyre gabimeve, të cilat në të shumtën e rasteve duken edhe qesharake.

“Për sa i përket gabimeve, ne kemi kërkuar si këshilltarë të Qytetit të Shkupit. Kemi kërkuar që në çdo institucion të ketë edhe përkthyes shqiptarë. Nëse nuk është personi adekuat normal edhe ka aso gabime dhe lëshime se, nuk mundet çdo kush ashtu si ti kujtohet edhe të përkthen, për atë ne kemi njerëz të profesionalizuar, kemi kuadër edhe mendoj se kuadri i nevojshëm që është si përkthyes duhet të jetë edhe në ato vende ku duhet të bëhen përkthimet, normal në bazë ligjore”, tha Halide Palloshi, këshilltare në qytetin e Shkupit.

Përveç gabimeve gjuhësore, në disa nga udhëkryqet e qytetit akoma qëndrojnë të ngjitura tabelat e vjetra udhërrëfyese me mbishkrime vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, duke u anashkaluar kështu gjuha shqipe. Ndonëse gjuha shqipe në nivel të Shkupit konsiderohet si gjuhë zyrtare. Këtë çështje e rregullon edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve. Për këtë situatë Palloshi akuzon edhe inspektoratin e qytetit të Shkupi, i cili ka për obligim të bëjnë detektimin e këtyre mangësive, për të cilat vijojnë edhe gjoba.

“Ne në qytetin e Shkupit kemi edhe inspektoratin. Unë mendojë se përgjegjësia është edhe te ata se çdo mos zbatim i ligjit normal është ndëshkim i atyre të cilët nuk e zbatojnë. Ekzistojnë kërkesat, dëshira dhe konkluzat mirëpo zbatimi në praktikë po shkon rëndë. Mendimi im personal është se inspektorati nuk është duke e kryer detyrën sa duhet për sa i përket ligjit dhe përdorimit të gjuhës shqipe”, tha Halide Palloshi, këshilltare në qytetin e Shkupit.

Rasti më i fundit me bastardimin e gjuhës shqipe kishte të bëj me Kopshtin zoologjik në Shkup. Përgjegjësit e kopshtit zoologjik në kryeqytet, në mbishkrimin në gjuhën shqipe kishin shënuar “Kapshti Zoologjic” në vend të “Kopshti Zoologjik”.

SHPËRNDAJE