Qindra punëtorë maqedonas janë punësuar javëve të fundit në Kombinatin Energjetik me kapital shtetëror “REK Manastiri” në Manastir.

Një numër i madh i të punësuarëve janë pa shkollim adekuat dhe se fuqia punëtore e punësuar nga VMRO-DPMNE është kryesisht edhe me shkollim fillor. Siç mëson INA nga burime brenda kombinatit, një numër i madh i të punësuarëve janë pajisur me diploma të shkollimit të mesëm, vetëm e vetëm për të siguruar vendin e punës. Të punësuarit janë edhe nga qytetet e tjera Prilepi, Kërçova, dhe disa edhe nga Strumica.

Pagat më të ulta në këtë kombinat janë deri në 25 mijë denarë, ndërsa ato më të larta deri në 50 mijë denarë. Kohëve të fundit janë punësuar vetëm dy punëtorë shqiptarë, edhe pse ishte rekomanduar një listë për tu punësuar, por rekomandimet e drejtorisë kanë qenë që të punësuarit e tjerë të shkojnë për të konkurruar nëpërmjet agjencive private për punësim, ku punëtorët nëpërmjet kontratës me këtë agjenci, përfitojnë vetëm një të katërtën e rrogës, pra një pagë deri më 8 mijë denarë. Kandidatët shqiptarë që kanë konkurruar dhe shpresojnë një vend pune në këtë gjigand elektroenergjetik, që drejtohet nga një kuadër i VMRO-DPMNE-së, apelojnë opinionin për tu njohur dhe ngritur zërin edhe për këtë padrejtësi.

SHPËRNDAJE