Rezultati final për Tiranën do të duhet sërish të presë përfundimin e betejës ligjore në Kolegjin Zgjedhor. Të hënën (13 qershor 2011), trupa gjyqësore e Kolegjit do të shqyrtojë kërkesë-padinë e re të paraqitur nga Partia Socialiste, ku pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, këtë herë socialistët kërkojnë gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Në kërkesë-padinë e tretë të depozituar në Kolegj disa ditë më parë, socialistët shprehen ndër të tjera se KQZ, me hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit që ndodheshin në kutitë e gabuara, ndryshoi tabelat e grupeve të numërimit, sipas tyre, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Gjithashtu, PS ankohet edhe për faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshëm i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor, pretendon opozita.

Relatore e çështjes është Dhurata Haveri. Anëtarë janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja. Me vendimin e KQZ-së ku u përfshinë votat e kontestuara, kandidati demokrat Lulzim Basha u shpall fitues me 81 vota përpara kandidatit socialist Edi Rama. Ky vendim u kontestua nga ana e KQZ-së.

Ndërkohë në një prononcim për mediet, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Çlirim Gjata deklaron se vendimi i 3 qershorit i Kolegjit ka mbyllur çdo shteg ligjor për Partinë Socialiste dhe paditë e pretenduara nuk janë të bazuar në fakte.

Në vijim të debatit politik për Tiranën, kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së komitetit ndërministror për Integrimin, konfirmoi se parimi i numërimit të çdo vote ku qëllimi i qytetarit është shprehur, është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor, një parim që ekziston në çdo demokraci dhe sipas tij, ky qëndrim gjeti sanksionim të plotë edhe në vendimin e Kolegjit Zgjedhor të datës 3 qershor, një vendim që sipas tij, ishte në mbështetje të Kushtetutës.

Por, nga ana e tij, kryetari i opozitës, Edi Rama, duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të KE-së tha se “ato janë një kambanë alarmi që tregojnë se gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë në drejtimin e duhur”. Rama ripërsëriti se nga vendimi i ardhshëm i Kolegjit Zgjedhor për ankesën tjetër të opozitës, do të varet edhe rruga që do të ndjekë më pas vendi.

SHPËRNDAJE