Tradita, kultura, historia, etniciteti, identiteti shqiptar u shpalosën në ekspozitën e kostumeve kombëtare të titulluar “Me duar të arta” që u çel në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Ekspozita, në të cilën ishin të pranishëm ambasadorë, artistë, akademikë, deputetë, etj., paraqiti veshje kombëtare të trevave të ndryshme të Shqipërisë të punuara me dorë nga stilistja Edlira Sula.

Koleksioni përmban modele në të cilat riprodhohen në mënyrë artizanale dhe ruhen me besnikëri tiparet origjinale të krahinave që ato përfaqësojnë. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli tha se ndihej krenare për faktin që shqiptarët kanë trashëguar nga e kaluara veshje popullore të mrekullueshme, që e bëjnë shumë të veçantë kulturën dhe identitetin kombëtar të trevave të ndryshme.

Duke u ndalur në kombinimin e formave dhe larminë e ngjyrave, zonja Topalli nënvizoi se nëpërmjet duarve të arta të grave shqiptare shprehet vullneti për të ruajtur këtë traditë të mrekullueshme.

“Të gjitha këto punime janë bërë në shtëpitë tona gjatë shekujve, janë ruajtur në shekuj dhe plus me punën e vajzave dhe të grave që kanë realizuar, kanë mbajtur dhe kanë ruajtur fort këtë traditë të veshjeve popullore krejt të veçanta dhe të mrekullueshme tonat. Padyshim kanë futur edhe ëndrrat e tyre, edhe magjepsjen e tyre, edhe flokët e tyre, edhe dashuritë e tyre, edhe ndjenjat e tyre duke i bërë këto veshje vërtet të mrekullueshme në llojin e vet”, tha Topalli e cila vuri në dukje simbolikën e fortë të kostumit popullor të veshur nga Konica i madh, apo madhështinë në veshjen e Isa Boletinit.

“Këtë pasuri të jashtëzakonshme shumë të çmuar ne jo vetëm e vlerësojmë, e shohim kryesisht në muze, në disa raste në festivalet kombëtare folklorike, në ndonjë rast në ndonjë sfilatë të veçantë, ndonjëherë në disa familje në festat e tyre, ndonjëherë në ditën e martesës, sepse ato evokojnë atë që është shqiptare, atë që është e bukur, atë që është “fashion” dhe atë që e bën gruan që të ndihet mirë. Padyshim që kjo traditë e jashtëzakonshme e jona duhet riprodhuar duke i qëndruar besnike veshjes, kostumeve kombëtare të të gjitha trevave”, tha Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli e cila i shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e saj stilistes Edlira Sula për punën e jashtëzakonshme dhe për dashurinë me të cilën ajo i ka qëndruar besnike tipareve dhe elementëve të veshjeve popullore të trevave të ndryshme.

Nga ana e saj, stilistja Edlira Sula tha se koleksioni i paraqitur në ekspozitën “Me duar të arta” është fryt i një pune shumëvjeçare dhe i një tradite familjare të trashëguar brez pas brezi.

“Çdo gjë që do të thoja, nuk do të arrija ta thoja më mirë se nëpërmjet kësaj ekspozite”, tha Edlira Sula. Nga ana e saj, etnografja e njohur, Afërdita Onuzi, vlerësoi përpjekjet maksimale të stilistes Sula për të ruajtur identitetin e veshjeve popullore, për të riprodhuar saktë ato dhe për të ruajtur të gjitha vlerat e njërës prej fushave më të pasura, më të larmishme të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar.

SHPËRNDAJE