Kujtesa e njeriut është ajo depozitë e madhe brenda së cilës renditen letrat dhe dosjet e tua. Ajo është libraria jote e gjerë, e cila përfshin enciklopeditë e tua shkencore dhe librat e tua me vlerë të rrallë. Ti je ai që i rendit ato herë pas here dhe po ti i vendos ato në pasqyrën e lëndës sipas tematikave të veçanta, sipas llojeve të ndryshme dhe sipas numrave të tyre rendorë në ngjitje.

Sa herë që ditët dhe vitet ndjekin njëri-tjetrin edhe depozita e memories rritet në përmbajtjen e saj dhe raftet e saj shtohen e mbushen. Sa herë që depozita dhe biblioteka jote është e mbushur me libra dhe enciklopedi me vlera shkencore, me histori të lashtë dhe burimore, aq më shumë ajo fiton vlerë dhe përfaqëson një trashëgimi, që duhet t’u lihet pas brezave, mbetet e përjetshme për t’u sjellë dobi njerëzve dhe vepra jote bëhet një vepër që nuk ndërpritet pas vdekjes.

E kundërta do të ndodhte nëse depozita e kujtesës tënde dhe biblioteka jote do të kishin qenë bosh, me rafte të pakta, në të cilat nuk gjendet gjë tjetër veç disa letrave të shpërhapura dhe regjistrave që qëndrojnë sipër njëri-tjetrit, disa lapsa aty-këtu dhe libërtha, histori dhe tregime të kota, vlera e të cilave janë vetëm disa çaste të leximit të tyre për argëtim, apo për të kaluar kohën e lirë, gjëra për të cilat do të përfshihen në llogarinë tënde më vonë. Me një bibliotekë të tillë ti ke turp që në derën e saj të hyjë njeri tjetër përveç teje, që të zbulojë mungesën e rregullsisë dhe të rendit, shijen tënde të prishur dhe devijimin e natyrës tënde. Kështu mund të të bjerë vlera dhe pozita, ashtu siç bie edhe vlera e depozitës dhe e bibliotekës tënde.

Ajo nuk është gjë tjetër veçse një vend ku ti fsheh hedhurinat e tua dhe objektivat e tua të pavlera, apo letrat e vjetra dhe regjistrat e sekreteve të tua. Kështu kalojnë ditët dhe vitet nga jeta jote, derisa të vijë momenti që ta urresh atë depozitë dhe të vendosësh në një moment zgjimi të mendimit tënd dhe të pjekurisë së ndjesisë tënde, që ta hedhësh tej dhe ta flakësh me gjithçka ka brenda në koshin e plehrave, ose ta përdorësh gërmadhën që ka mbetur prej saj për të ndezur zjarrin që të kthehet në flakë për drunjtë. E tillë është edhe depozita e kujtesës tënde. Në të gjenden dosje dhe regjistra, që e meritojnë të mbeten të përjetshme, që t’i përkujtosh dhe të jetojë ditari i saj me mburrje dhe krenari. Nga ana tjetër ka syresh prej të cilave të kap frika apo ke ndrojtje sa herë që i rikthehesh, apo kur dikush tjetër përveç teje përpiqet që t’i nxjerrë ato jashtë.

Por ne kur ishim fëmijë nuk zotëronim një pjekuri në mendim, që të na nxiste të tregoheshim të kujdesshëm prej kategorive dhe temave që duhet të mbante kujtesa jonë, ashtu siç veprojmë kur ndërtojmë një depozitë për bibliotekën tonë. Ne nuk kishim mundësi të merrnin një vendim të saktë, sepse ende nuk e kishim mbushur moshën e pjekurisë dhe moshën që të na jepte mundësinë për të dalluar gjërat. Në këtë mënyrë ne ishim të pafuqishëm për të zgjedhur atë që na përshtatej dhe që përkonte me shijet tona, apo që të kishim mundësi të ngrinim lart nivelin tonë për të parë me syrin vizionar, ashtu siç shohim sot, që jemi të mëdhenj pamjen e të vërtetës, e cila fshihet nga pluhuri i dendur që përhapej rreth nesh nga jeta jonë ende e mbetur në moshën e fëmijërisë. Kështu ne kemi nevojë për shumë vite që të na forcohej kuraja, të na rritej ambicia, të rriteshin brenda nesh vlerat dhe mendimet, e bashkë me mendjet tona të rriteshin edhe qëllimet e objektivat.

Kur ishim fëmijë të vegjël ne nuk e kishim në dorën tonë që të regjistronim në kujtesën tonë me zgjedhjen dhe me vendimin tonë të lirë, atë që e meritonte të përjetësohej në brendësi të kokave tona të vogla, apo të ruhej në depozitën e kujtesës sonë të re. Ne ishim në etapën e imitimit dhe jo në etapën e krijimit të ideve. Identiteti ynë ishte ende i thjeshtë, preokupimet tona nuk ishin të mëdha, ëndrrat tona i përzienim me një imagjinatë që kishte hapësirë të ngushtë, në ngjyrat e natyrës ne vendosnim shenjat e pikturimit të saj me një furçë që në duart tona ishte tepër e ndrojtur dhe e pavendosur. Ne nuk lindëm të ditur dhe intelektualë, as nuk arrinim të dallonim dhe të kuptonim oqeanin e botës në të cilën jetonim, as nuk arrinim dot të zbulonim të fshehtat dhe sekretet e saja të shumta, të cilat i tejkalonin mundësitë e botëkuptimit tonë.

Ne ishim ende të vegjël dhe ende nuk ishim ndarë nga kalimi i disa orëve nga jeta jonë me lojëra e dëfrime, sepse orët tona nuk i vendosnin para nesh por pas nesh, nuk kujdeseshim që ballin tonë ta zbukuronim me ato orë, as që t’i lidhnim ato në mur, apo t’i vendosnin në raftet e larta dhe që të na kujtonin sesa kohë kishte kaluar dhe sa kishte mbetur. Në atë periudhë orët nuk kanë asnjë vlerë, as koha që na shkonte dhe na mbaronte. Në atë periudhë kohët tona ishin një pronë e jona, të cilën e shpenzonim me shumë bujari dhe as nuk mendonim për ditën që do të vinte më pas, madje i jetonim çastet tona ashtu siç ishin.

Ne nuk e kuptonim rrezikun e veprave, përvojave dhe veprimeve tona, as rrezikun e fjalëve që shqiptonim me gjuhën tonë. Ne i lëshonim frerët pa asnjë litar për të na mbajtur lidhur, madje me natyrën tonë dhe vetvetiu ecnim të lirë pa asgjë që të na pengonte, ngjiteshim lart në botën tonë si një zog në ajër që qëndron aty ku dëshiron mbi një degë të njomë e të cicërojë dhe sa herë i bëjnë krahët që të fluturojë, ai fluturon dhe ngjitet lart. Kur ishim fëmijë të vegjël ne regjistronim gjithçka që na zinin sytë me kamerën e tyre të vogël, ose gjithçka që dëgjonin veshët tona si valë zëri melodike, ose gjithçka që preknin duart tona të njoma, ose çdo aromë nga llojet e ndryshme të parfumeve dhe aromave që ne nuhasnim, ose gjithçka drejt së cilës na çonin këmbët tona në etapa të ndryshme me nxitim, ose duke mbajtur kokat tona lart me trupin drejt.

Ne përballeshim me një furtunë skenash dhe me situata të vazhdueshme, dhe me një shirit pamjesh me të gjitha domethëniet, ngjyrat dhe format që ato përcillnin, e të gjitha këto ne i ruanim në kujtesë ashtu siç ishin. Ne nuk përdornim mjete pastrimi dhe skanimi, as nuk vendosnim solucione pastruese, madje e merrnim gjithë këtë lëndë në formë bruto pa asnjë përpunim apo ndryshim. Ne e gdhendnim atë në kujtesën tonë, ashtu siç gdhendet një gur, që i ngjan memorizimit tonë tradicional në mejtepet e Kuranit dhe në shkollat e lashta me metodat e përsëritjes dhe dëgjimit sipas mënyrës së vjetër, pa pasur asnjë renditje për atë që shkruanim dhe gdhendnim.

Ne ishim si enët depozituese dhe librat e shkruar, të cilët regjistronin çdo ngjarje, të gjitha ditët tona të njëpasnjëshme, qofshin të hidhura apo të gëzueshme, të gjitha reagimet tona dhe të të tjerëve, qofshin të dukshme apo të padukshme, madje edhe ato reagime që krijoheshin brenda nesh në kohët e perëndimit të diellit dhe gjithçka ngjante në kohën kur vinte errësira, kur uleshim nën dritën e hënës, ose pranë qirinjve të ndezur, madje edhe ato reagime që ia zinin frymën dhe nuk kishin zë që të bërtisnin, të cilat zënë vetëm një vend të largët në kujtesë.

Jeta jonë ishte në hapat e parë dhe ende nuk i kishim kapur ato vite kur njeriu ndjen përgjegjësi dhe ngjitet lart në pozitën e marrjes së vendimeve. Për këtë arsye ne nuk mbanim përgjegjësinë e asaj që depozitonim në kujtesën t
onë, ashtu siç nuk mbanim përgjegjësinë e zgjedhjes së natyrës së rritjes sonë, as kushtet e jetesës sonë, as mënyrën e edukimit tonë, as traditat dhe zakonet me të cilat u mësuam. Përgjegjësia e vërtetë binte mbi shpatullat e familjarëve tanë, mbi baballarët dhe nënat tona, mbi kujdestarin brenda familjes, mbi të gjithë ata që kishin vendimmarrjen në dorë, ata që kishin pushtetin e organizimit, mbi atë që udhëhiqte çështjet e shtëpisë dhe mbante shtyllat e saj, mbi bariun dhe kujdestaren brenda saj. Kujtesa jonë është regjistri në të cilin kanë bërë shënimet e veta baballarët, nënat tona dhe familjet, në mesin e të cilave u rritëm dhe prej burimit të të cilave pimë. Nga vrulli i përrenjve dhe lumenjve të këtyre familjeve fillon historia jonë, fillojnë ngjarjet e fëmijërisë sonë dhe kujtimet e të shkuarës sonë. Përkundrazi e gjithë shoqëria mban përgjegjësinë e kujdestarisë, ashtu siç mban edhe amanetin e ruajtjes së regjistrit të kujtesës sonë dhe amanetin e servisit të përmbajtjes së saj. Ne lindim dhe mbështillemi me një copë të bardhë, pimë qumësht të pastër, kemi trupa të njomë dhe koka bosh në të cilat renditen disa rafte me faqe të bardha dhe të kulluara, mbi të cilat asnjë laps nuk ka shënuar qoftë edhe një pikë bojë të zezë.

Ajo që ti mban sot në kujtesën tënde në rini ose nesër në pleqëri, aty ku ti i shërben shoqërisë tënde nëpërmjet postit që ke, ose kur je në moshë të thyer me thinja që të kanë mbërthyer vizën e flokëve, me një kurriz të thyer dhe në vetmi, një pjesë e madhe e saj (kujtesës) ka mbledhur atë që është gdhendur në faqet e saj në vitet e para të jetës, një kujtesë e cila ka regjistruar disa njerëz që ti nuk i ke zgjedhur që të regjistrojnë në vendin tënd dhe as nuk ke kërkuar prej tyre që të ishin kapitenë për të udhëhequr anijen e kujtesës tënde me dëshirën e tyre dhe me zgjedhjen e tyre, apo që ta komandonin atë me forcën e pushtetit të tyre.

Fëmija që dje mbante një kujtesë të pastër dhe të kulluar, të pafajshme nga çdo gjynah, padrejtësi, e keqe apo lëndim sot është bërë i madh dhe brenda tij mban regjistrat e të shkuarës, ku do të ndjejë dhembjen që është rritur brenda tij, kur ishte i vogël dhe sot do ta përjetojë atë dhembje po me të njëjtën ndjesi, madje edhe më shumë, sepse ndjesia e tij është e pjekur dhe e madhe. Në të njëjtën kohë ai do të ndjejë gëzimin e ngazëllimit dhe një buzëqeshje do të ndriçojë fytyrën e tij, ashtu siç e ndriçoi atë kur ishte i vogël. Gjithashtu ai do të ndjejë një kënaqësi të brendshme për harenë dhe mirësitë që përjeton shpirti i tij, që mburret me veshjet e tij të bardha, të cilat i ka veshur në momentet e lodrimit dhe dëfrimit të zbukuruara nga ditët e Bajramit.

Çdo kujdestar i një grupi individësh apo i një bashkësie e ka për detyrë që të kujdeset për shëndetin e kësaj kujtese, për ta mbrojtur nga çdo devijim, keqinformim, keqpërdorim dhe dëmtim, apo nga cenimi i të drejtave të saj dhe i paprekshmërisë së saj, sepse ajo kujtesë përbën regjistrin e brezave të ardhshëm, regjistrin e burrave dhe grave që nesër do të marrin në dorë poste ku merren vendime mbi të cilat do të ndërtohet një umet politikisht, nga ana arsimore, ekonomike etj.

Atëherë le të përgatisim, le të edukojmë dhe le të krijojmë një kujtesë të fortë dhe jo të mposhtur, një kujtesë të shëndoshë dhe larg defekteve, të metave dhe lodhjeve shpirtërore, le ta mbrojmë nga rrënimi dhe humbja, në mënyrë që të ruajmë mendjen dhe diapazonet e bijve të këtij umeti. Këto mendje do të jenë ato që do të krijojnë ide dhe me ndihmën e këtyre mendjeve do t’i vënë ato në zbatim në hapësira të gjera, me talentin dhe me vullnetin e tyre do të ndërtojnë fabrika, institucione dhe me to ndërtohen fondacionet… me ndihmën e të cilave vihet në lëvizje kultura e umetit, ngrihet civilizimi i tij, vendosen themelet dhe shtyllat e përparimit të tij dhe të suksesit të tij në të gjitha fushat e zhvillimit.

Le të përjetësojmë për veten dhe për bijtë tanë një histori të mbushur me kontribut, një histori të lavdishme me të cilën të mburren brezat nesër, historinë tonë që meriton të jetojë dhe të shkruhet me bojë të artë dhe jo një histori të zymtë në librat e errësirës, të shkruar nga pena me bojë të bërë prej lotësh, që tregohet nga gjuha e mjerimeve dhe mësimeve të hidhura, nga rënkimi i zemrës dhe dhembja e saj. Nuk dëshirojmë nga bijtë tanë, që të qëndrojnë nesër para nesh dhe të na kërkojnë llogari për neglizhencën tonë karshi të drejtave të tyre dhe se ishim themeli i rrënimit për kujtesën e tyre dhe për prishjen e historisë së tyre.

Që të gjithë së bashku në këtë moshë madhore që jemi, le të shkruajmë në kujtesën e brezave historinë tonë dhe historinë e tyre, le të themelojmë për të ardhmen gjithçka që gëzon shpirtin, i cili mund të shprehet për këto mirësi me të gjithë lirinë e tij të ligjshme. Le të prodhojmë në kujtesën e tyre një jetë të lumtur, disa kujtime të bukura dhe imazhe të mrekullueshme, disa skena të rralla dhe ditarë madhështorë, në mënyrë që ata të mos i kaplojë frika gjatë etapave të jetës së tyre, apo që dëshpërimi të pushtojë faqet e kujtesës së tyre dhe si rrjedhojë të ndiqen prej dështimit kur të bëhen të mëdhenj dhe në sytë e tyre të zvogëlohen ambiciet, të humbasë forca brenda tyre, guximi të heshtë në gjuhët e tyre dhe shpirti të mbajë mbyllur ulërimën e tyre. Kujtimet tona kanë gjëra të shumta që meritojnë prej nesh që t’i kthehemi dhe t’i ndryshojmë kur jemi të mëdhenj, për aq kohë sa ishim të pafuqishëm në vegjëlinë tonë, që të krijonim vetë regjistrin e saj dhe në këtë mënyrë të arrijmë të përjetësojmë për veten dhe për të gjithë ata që vijnë pas nesh gjithçka që mund të krijojë lavdinë e umetit.

Nga arabishtja: Genc Plumbi

SHPËRNDAJE