Në Kosovë po qëndron një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar për të bërë vlerësimin përfundimtar të marrëveshjes për monitorim nga stafi, të arritur me Qeverinë e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.

Shahini, shpreson se këto bisedime do ti hapin rrugë Kosovës, për arritjen e programit të ri, “Stand By” më këtë mision.

“Shpresojmë se do të marrim vlerësime pozitive sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, pasi që edhe vlerësimi i cili është kryer gjatë nëntorit të vitit të kaluar ka qenë pozitiv. Dhe në këtë mënyrë do të hapet mundësia për arritjen e programit të ri dhe përfitim të fondeve nga ky mision”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muharrem Shahini.

Marrëveshja 18 mujore e quajtur “Stand By Arrangement” (SBA), e arritur në mes ekzekutivit të Kosovës dhe FMN-së, e cila ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, ishte ndërprerë më 2011.

Në atë kohë, misioni i FMN-së, në Prishtinë kishte njoftuar se ky institucion financiar ndërkombëtar ka arritur një marrëveshje në nivel të personelit me autoritete mbi një pako të politikave që do të monitorohen në kontekst të Programit Monitorues të Personelit deri në fund të vitit 2011.

“Zbatimi i suksesshëm i këtij programi do të ndihmojë krijimin e një mekanizmi përcjellës të menaxhimit fiskal, i cili mund të shtrojë rrugën për një rishikim të ndihmës financiare nga ana e FMN-së në vitin 2012 dhe të lehtësojë vazhdimin e mbështetjes së donatorëve”, kishin thënë në atë kohë udhëheqës të zyrës së FMN-së në Kosovë.

Sidoqoftë, nëse vlerësimi i delegacionit të FMN-se është pozitiv, atëherë do t’i mundësohet Qeverisë së Kosovë për bisedime për një program të ri, përmes së cilit ekzekutivi ka planifikuar dhe ka projektuar në buxhetin e këtij viti një shumë prej 92 milionë euro.

Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtare, që nga sot e deri më 5 mars do të qëndrojë në Kosovë.

SHPËRNDAJE