Prishtinë, 18 janar / AIK-Presheva Jonë

Në intervistën ekskluzive për RTK-në, anëtari i Këshillit të Evropës, Dick Marty për herë të parë për mediet shqiptare flet në hollësi lidhur me raportin e tij aq të përfolur mbi “trafikimin e organeve”. Në këtë intervistë, Marti shfajëson kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe UÇK-në, ndërkohë thotë se për trafikim organesh bëhet fjalë për njerëz të afërt të Thaçit, e jo për të.

Për më tepër, ai thotë se raporti i tij për Kosovën nuk i sjell asnjë përfitimi, përveç telasheve. Ai flet rreth mandatit për të përgatitur raportin, duke potencuar se raporti dhe veprimtaria e tij nuk duhet kuptuar kurrë si diçka kundër bashkësisë kosovare, ose kundër bashkësisë shqiptare.

“Në të kundërtën, unë mendoj se jam përpjekur të bëj një punë që më ishte kërkuar. Nuk e kërkova unë këtë mandat, por u ngarkova për ta kryer atë. E bëra me ndërgjegje të plotë. E di se kërkimi i së vërtetës mund të shkaktojë dhembje, mirëpo kurrë nuk kam pasur për qëllim të kritikoj, dhe aq më pak ta kriminalizoj një bashkësi. Kam shumë miq dhe të njohur kosovarë dhe shqiptarë. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe Zoti e di, por unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem me ndonjërin nga Kosova apo Shqipëria. Kam pasur vetëm marrëdhënie respekti dhe miqësie”.

Marti pranon se ka pasur kritika të natyrës esencialisht juridike për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. “Është aq e vërtetë sa që Zvicra pati ndaluar fluturimin e aeroplanëve mbi territorin e saj, sepse kjo nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kur e them këtë, unë isha gjithashtu i bindur se duhej ndërhyrë në Kosovë. Se politika kriminale dhe e marrë e Milosheviqit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde. Ja përse unë mendoja, dhe mendoj përsëri, se nëse do të ishin bërë gjërat në mënyrë të qartë nga pikëpamja juridike, do të kishim pasur shumë më pak polemika”.

Ai ka thënë se sa i përket pavarësisë, kurrë nuk e ka kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë për Kosovën, por ka kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Këshillit të Evropës, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht.

“Dhe unë mendoj, se nëse kjo pavarësi, të cilën nuk e kundërshtoj si të tillë, po të ishte përgatitur ndoshta më mirë, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe ndoshta popullsia kosovare do të kishte mundur të jetonte më mirë. Pra, unë vura për diskutim dhe kritikova kushtet e veçanta dhe jo thelbin. Përveç kësaj, një nga kritikat e mia mbi modalitetet e veçanta, fatkeqësisht, u dëshmua”.

Marti ka thënë se kishte preferuar më tepër që të jenë kosovarët ata që do të kishin vendosur vetë, dhe jo që ky vendim të ishte marrë nga Uashingtoni, Berlini apo Parisi.

“Mendoj se kosovarët do të ishin në gjendje të bënin shumë më shumë gjëra vetë dhe atje do të kishte më pak efekte negative se sa me këtë prani të madhe ndërkombëtare”.

Për ish-kryeprokurorin zviceran pavarësia e Kosovës nuk është më e diskutueshme për te.

“Kosova e pavarur, unë do të uroja që ajo të jetë me të vërtetë e pavarur. Që të mund të ecë me këmbët e veta, dhe për mendimin tim, kjo nuk vihet më aspak në dyshim. Për mua, ishte çështja e modaliteteve të atij moment, të çështjes së nxitimit të Zvicrës në lidhje me njohjen e saj dhe që është në kundërshtim me praktikën që ajo kishte ndjekur deri më tani, kjo ishte e gjitha. Unë jam realist: kosovarët e duan padyshim pavarësinë dhe besoj se tani duhet respektuar kjo pavarësi”.

I pyetur nëse deputet rus në Këshillin e Evropës, Konstantin Kosaçev ishte një nga nënshkruesit e një mocioni për Kosovën dhe që mocioni të jetë i vlefshëm, ai është dashur të nënshkruhet nga 20 deputetë dhe duhet të përfaqësojë pesë vende të ndryshme.

“Ishin deputetë të partive dhe vendeve të ndryshme që e firmosën atë. Midis të tjerash, ju informoj, se unë nuk e firmosa atë”.

Sipas Martyt, janë asgjësuar provat nga Tribunali i Hagës për rastet që i përmend ai në raport.

“Thënë shkurt, nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim të vërtetë mbi këto ngjarje. Gjithashtu, sepse Shqipëria, dhe këtë ma kanë thënë ministri i Drejtësisë dhe ai i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, ishte e mendimit se nuk kishte asnjë arsye për të hapur një hetim mbi ngjarjet eventuale që kanë mundur të ndodhin në territorin e saj, sepse ajo vlerësonte se nuk ishte pjesë e konfliktit të ish-Jugosllavisë dhe nga ky fakt, ajo nuk shihte se në emër të cilit motiv duhej të hapte një hetim”, thekson Marti.

Ai hedh poshtë akuzat se raporti ka për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së.

“Nëse lexohet me kujdes raporti im, nuk është UÇK, si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet. Madje, dua të theksoj se ka pjesëtarë të UÇK-së që u angazhuan në mënyrë të lakmueshme për atdheun e tyre. Nuk besoj se mund të konsiderohet UÇK-ja si një ushtri e strukturuar, në kuptimin klasik, me një gjeneral etj. Mirëpo, për mendimin tim, ka pasur abuzime dhe krime që janë kryer nga disa grupe, të cilat, sipas mendimit tim, duhet të jenë objekt i një hetimi. Ajo që kam sjellë unë në këtë raport nuk është në fund të fundit diçka shumë e re. Qoftë UÇK-ja, disa forca të UÇK-së, apo Thaçi, të gjithë tashmë kanë qenë të cituar në shumë raporte të shërbimeve informative, në studime që janë realizuar, ose edhe në artikuj të hartuar, apo nga një hulumtim i detajuar i BBC-së. Pra ajo që ne arritëm të bëjmë në kërkimet tona, ishte se na u dha mundësia të gjejmë dëshmitarë shumë të besueshëm që kanë mundur të japin hollësira që figurojnë në raport”, ka thënë Marti

I pyetur nëse raporti i tij është filluar pas botimit të librit të ish-prokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, Marti ka thënë se është në fund të karrierës së tij politike dhe nuk do të kishte rrezikuar karrierën duke shkruar një roman në vend të një raporti. “Unë besoj në një ndërgjegje dhe aftësi profesionale. Për më tepër se 15 vite kam qenë prokuror dhe jam marrë sidomos me kriminalitetin e organizuar ndërkombëtar”, ka shtuar Marti.

Ai më tej ka shtuar se ka marrë dy çmime nderi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe kjo, sipas tij nuk është për t’u mburrur, por për të dëshmuar njëfarë aftësie që e zotëron. “Unë e di se si duhet pyetur një dëshmitar, se nuk duhet të bazohesh në një deklaratë të vetme dhe se duhen bërë prova të kryqëzuara”.

Marti ka thënë se nëse lexohet
me kujdes raporti, nuk ka thënë në asnjë rast se kryeministri i Kosovës në largim Hashim Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh. “Por, them se njerëz shumë të afërt të Thaçit janë të implikuar. Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh” ka shtuar ai.

Ndërsa se ka përmend përfshirjen e supozuar të Thaçit në trafikun e supozuar të organeve, Marti përsërit se në raport përmenden emra të caktuar, dhe jo emri i Thaçit”.

“Ajo që themi është se këta persona në fjalë janë në rrethin e Thaçit. E dini se Thaçi kishte përgjegjësi të mëdha në kuadër të UÇK-së dhe brenda këtij grupi. Nuk e imagjinoj dot Thaçin duke marrë pjesë personalisht në nxjerrjen e organeve”.

Ai ka thënë se për raportin e tij nuk ka marrë asnjë kompensim material. Si çdo raportues, marrin nga Parlamenti Zviceran një shumë prej 200 frangash zvicerane, dhe këtë pavarësisht nga objekti i studimit, qoftë nga parlamentit i Zvicrës apo i Strasburgut.

“Ky raport më hap vetëm probleme dhe nuk më sjell asnjë përfitim, ju betohem.

Kjo ishte detyra ime. Nga momenti që kam marrë këtë mandat, unë kam pasur për detyrë të tregoj atë që kam zbuluar. Bëhet fjalë për një denoncim, dhe pas kësaj, u mbetet autoriteteve kompetente që ta kryejnë detyrën e tyre”, ka shtuar anëtari i Këshillit të Evropës.

Marti ka thënë se nuk ka asnjë arsye personale kundër Kosovës, Shqipërisë apo shqiptarëve. “Përkundrazi, unë jam ndër ata që adhuroj shumë librat e Kadaresë”. Ai ka mohuar kategorikisht se ka përdor material nga Beogradi për të përpiluar raportin. “Unë ju jap fjalën time të nderit që asnjë material serb nuk ka mundur të përdoret dhe që nuk kemi përdorur”, ka shtuar ai.

Senatori zviceran ka thënë se ka lexuar shtypin, ngase ka shokë kosovarë që e kanë informuar dhe që ia kanë përkthyer artikuj.

“Ky raport u prezantua si pro-serb, duke harruar të përmendin të gjitha gjërat që unë kam thënë kundër serbëve, kundër përgjegjësve serbë të asaj kohe. Mendoj se shqiptarët do të kishin bërë mirë po ta kishin lexuar raportin në qetësi dhe sinqerisht. Kam pasur disa eksperienca interesante me disa shqiptarë që jetonin në Austri dhe Gjermani. Ata më patën shkruar të skandalizuar dhe të zemëruar, të cilëve u dërgova një përgjigje me shpjegime përmes e-mailit”, ka shtuar ai.

Marti në këtë intervistë ka thënë se nuk pret instrumentalizim të raportit të tij. “Sa i përket shumicës së Këshillit të Evropës, unë nuk shoh asnjë rrezik në këtë drejtim. Është e vërtetë se ka grupe nacionaliste serbe të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë raport. Por çfarë duhet bërë kundër kësaj. Nuk është puna e këshillit”.

I pyetur nëse mund të përmirësohet imazhi pas akuzave të tilla kundër Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, Marti ka thënë se Kosova ka një perceptim të gabuar. “Ne e dimë se në Zvicër kemi me dhjetëra mijë kosovarë të cilët punojnë dhe kontribuojnë në mirëqenien tonë dhe të cilët kanë familje. Fëmijët e mi kanë pasur shokë kosovarë në shkollë. Ne i dimë të gjitha këto. Mendoj se është një perceptim i gabuar kur kosovarët besojnë se ne do t’i identifikojmë ata apo Kosovën me kriminalitetin. Jo. Edhe një herë, raporti flet për një afërsi shqetësuese të disa qarqeve politike me krimin e organizuar. Nuk mund të pretendojmë se nuk e kemi pas ditur”, ka theksuar Marti.

Ai ka mohuar të jenë anti-amerikan, ngase ka një vëlla që ka shtetësinë amerikane dhe ka nipër të cilët janë amerikanë. “Kam marrë dy çmime në Amerikë. Jo! Mund t’ju them se jam në dashuri të së vërtetës dhe e vërteta është shpesh shqetësuese”.

Po kush është Dik Marti?

Dik Marti është me origjinë nga Tessina. Është Këshilltar në Këshillin e Kantoneve (i përbërë nga përfaqësues të Kantoneve të Zvicrës). Më parë ka qenë Këshilltar Shteti. Gjithashtu, ai ka pasur një karrierë të rëndësishme si Prokuror i përgjithshëm dhe parapëlqen veçanërisht dosjet e ndjeshme, siç ka qenë për shembull raporti mbi burgjet sekrete të CIA-s, i bërë publik më 2006. Ai është një personalitet shumë i respektuar në Zvicër, e gjithashtu edhe në shkallë ndërkombëtare. Prej vitit 2010, është kryetar i Këshillit të Universitetit të Neuchatelit si dhe është emëruar kryetar i Asamblesë ndër-jurasiene, një punë që nuk është e lehtë në kontekstin e Zvicrës.

SHPËRNDAJE