Në fshatin Breznicë sot ishte ditë feste. Në prani të liderëve të pushtetit lokal të Bujanocit, në krye më kryetarin Shaip Kamberi, deputetit popullor, Riza Halimi, kryetarin të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri kryetarit te kuvendit Jonuz Musliut, liderëve fetarë të komunës sonë, si dhe qytetarëve të shumtë të Breznicës e fshatrave përreth, në këtë vendbanim u përuruan dy projekte të rëndësishme për banorët e këtij fshati dhe fshatrave të Malësisë së Bujanocit, njofton agjencia informative “Presheva Jonë

Enis SALIHI

Breznicë, Bujanoc, 9 dhjetor/ AIK-Presheva Jonë

Banorët e fshatit Breznicë prej ditës së sotme do t’i gëzohen rrjetit të ri të ujësjellësit, që ka kushtuar 46 milion dinarë dhe është financuar nga buxheti i komunës së Bujanocit, mbështetur nga Trupit Koordinues.

Gjithashtu sot u përurua edhe rruga e asfaltuar me gjatësi 2.2 kilometra që lidh Breznicën e Poshtme dhe Breznicën e Epërme. Sipas kryetarit të komunës, Shaip Kamberi, “ky projekt ka kushtuar 25 milion dinarë, ose 250 mijë euro që është financuar nga buxheti i komunës së Bujanocit, ndërsa me një pjesë të mjeteve, respektivisht me 34 mijë euro kanë kontribuar vetë banorët e Breznicës”. Kamberi shtoi se “prioritet i pushtetit lokal për vitin e ardhshëm do të jetë vazhdimi i kësaj rruge, gjegjësisht lidhja me Tërnocin”.

“Edhe më herët kemi pasur premtime për realizimin e këtyre projekteve, por ëndërrat po na realizon kjo përbërje e komunës së Bujanocit në krye me kryetarin Shaip Kamberi”, theksoi kryetari i Bashkësisë Lokale të Breznicës, Ramadan Selmani.

“Asfaltimi i kësaj rruge dhe lidhja me Bujanocin për ne është shumë e rëndësishme sepse kjo do të thotë mos shpërngulje nga këto fshatra”, tha kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit,  Jonuz Musliu.

Drejtori i Drejtoratit për Ndërtim, Driton Rexhepi, tha se “përurimi i projekteve të sotme është një realizim i ëndërrave të kahmotshme dhe vepër me të cilën krenohemi, një përkushtim konkret për politikat zhvillimore, qytetarët tonë”.

Në këtë përurim të projekteve u potencua edhe kontributi i madh i haxhiut, Bahtijar Idiqi nga Breznica. Banorët e Breznicës, duke falënderuar pushtetin lokal të Bujanocit, vlerësojnë projektin e ujësjellësit, po ashtu edhe  asfaltimin e rrugës, sepse tani ata nuk do të duhet të udhëtojnë nëpër Kosovë e të kalojnë vendkalimet kufitare për të ardhur në Bujanoc.

Këto dy projekte kapin vlerën mbi 700 mijë euro dhe janë financuar nga buxheti i komunës së Bujanocit, mbështetur nga Trupit Koordinues.

SHPËRNDAJE