Bujar Nishani përmbyll procesin e përzgjedhjes së njerëzve me të cilët do të bashkëpunojë përgjatë 5 viteve të mandatit të tij. Ndryshimi i Presidencës nga Bamir Topi tek Bujar Nishani do të shoqërohet me ndryshimin e stafit dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kreut të Shtetit.

Ndryshimi nisi që dje teksa i gjithë grupi i ish-këshilltarëve të z.Topi iu drejtuan veç e veç zyrës. Këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit në detyrë, Bamir Topi, dje kanë paraqitur dorëheqjen tek zyra e z.Nishani. Një nga një, stafi i vjetër i Presidencës ka dorëzuar dorëheqjet, duke u lënë vendin zëvendësimeve të reja në institucionin që punuan për 5 vite me radhë.

Tashmë Bujar Nishani, Presidenti i ri, ka përzgjedhur emrat e bashkëpunëtorëve dhe këshilltarëve. Burime të “GSH”, bëjnë të ditur se në pozicionin e shefit të kabinetit, Presidenti Nishani ka emëruar Florian Nurin, i cili mban postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, dikaster që drejtohej nga Presidenti i zgjedhur. Nuri do të zëvendësojë në këtë pozicion Dashamir Xhaxhiun. Në postin e sekretarit të përgjithshëm është emëruar Bardh Spahia, ish-zv/ministri i Shëndetësisë që u lirua pikërisht dje nga detyra dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Gazetarja me eksperiencë Irma Toptani është emëruar zëdhënëse e kreut të shtetit. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Besnik Konçi, Presidenti Nishani i ka besuar detyrën e këshilltarit diplomatik. Princi Leka do të jetë këshilltar politik i kreut të lartë të shtetit, ndërkohë që këshilltar për çështjet ushtarake është emëruar Baki Shehu, aktualisht këshilltar pranë komisionit parlamentar të sigurisë.

SHPËRNDAJE