Analistët politikë vlerësojnë se me ndryshimet në ligjin që rregullon çështjen e telekomunikimit, me ç`rast parashihet fshirje ose ndryshim i neneve kyçe, me të cilat përcaktohen kushtet kur lejohet përgjimi, afatet kohore dhe detyrimet për dokumentim dhe llogaridhënie, kërcënohet dukshëm liria e qytetarëve. Urania Pirovska, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni konsideron se me zgjerimin e kompetencave të më shumë institucioneve të Maqedonisë, siç janë doganat e policia financiare, për të përgjuar, lë të nënkuptohet se tashmë më shumë institucione të vendit mund të përgjojnë secilin, kurdo, dhe për sa kohë të dëshirojnë, pa urdhër nga gjykata që në masë të madhe kërcënon lirinë e qytetarëve, veçanërisht privatësinë e tyre.“Në këtë formë siç propozohet ligji nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk është definuar procesi i hetuesisë, cilat janë mënyrat se kush do të marrë leje për të përgjuar dhe çka është më e rëndësishmja, si do të ruhen ato të dhëna, nga organi gjegjës për një person të caktuar pas ndjekjes së telekomunikimeve, që dukshëm vë në rrezik privatësinë e qytetarëve një nga të drejtat themelore të të drejtave të njeriut”, thotë Pirovska.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara, të Ligjit për ndjekjen e komunikimeve, të cilat nuk precizojnë qartë se cili institucion sa kohë ka të drejtë të përgjojë, e veçanërisht (heqja) fshirja e neneve 2, 5 dhe 8, lënë hapësirë për keqpërdorime dhe keqinterpretime. Me këtë rrezikohet privatësia e qytetarëve të Maqedonisë dhe cenohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë për komunikim të lirshëm dhe privat.

Ndërkaq, analisti politik nga Tetova, Ruhi Bakiu, thekson se Ligji për ndjekjen e komunikimeve duhet në mënyrë të qartë dhe shumë precize të definojë se cili institucion, në çfarë rasti, për sa kohë dhe sipas cilave rregulla do të mund të bëjë përgjim, ngase siç shprehet ai, jo rrallëherë si mungesë e zhvillimit demokratik të Maqedonisë, ligjet janë vënë në funksion të udhëheqësve politikë dhe jo sundimit të së drejtës.“Kjo më duket shumë e dyshimtë, sepse shkalla e zhvillimit të demokracisë në Republikën e Maqedonisë është aq e ulët, saqë çdo çështje që ka të bëjë me intimitetin e personalitetit të njeriut këtu, shkon drejt keqpërdorimit nga ana e institucioneve”.

“Këtë gjë e vërtetoi edhe procesi i lustrimit ku në vend të dimensionit institucional, kjo çështje shumë shpejt doli nga binarët ligjorë dhe mori format e zhvillimit, nëse mund të shprehem ashtu, të një rrugaçërie. Kjo nuk është në funksion të Maqedonisë si një shtet që aspiron integrimin në BE”.

“Kjo nuk do të jetë e hijshme edhe për çështjen e përgjimit të telefonave së fundmi dhe inkorpoorimin e ndjekjes së komunikimit përmes internetit, ngase kështu siç është propozuar ligji, ka gjasa që nga ana e pushtetit të keqpërdoret gjegjësisht të përdoret për qëllime hakmarrëse kundrejt kundërshtarëve politikë”, thekson Bakiu.

Me këto ndryshime seriozisht cenohet privatësia e qytetarëve si dhe mbrojtja e të dhënave personale, e cila është e garantuar me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, thekson eksperti për çështje të sigurisë, Vlladimir Pivovarov.

“Edhe ashtu në shoqërinë maqedonase është krijuar një famë se gjithkush gjithkënd është duke e përgjuar, e ndjekur. Kjo dëmton dukshëm sigurinë e qytetarëve andaj duhet pasur parasysh se sjellja e ligjeve apo ndryshimi i tyre, e sidomos i ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe privatësinë, duhen të jenë në funksion të mbrojtjes së qytetarëve, e jo t’i shndërrojë ata në viktima”, thekson Pivovarov.

Ndryshe, partitë opozitare janë shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Ndërkohë, mazhoranca është mbrojtur me qëndrimin se propozimi për ndryshimin e ligjit që rregullon çështjen e telekomunikimit, bëhet pas vërejtjeve në raportin e fundit të KE-së për harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së.

Por, sipas partive në pushtet, meqë ligji është në fazën fillestare, pasi të përfundojë debati publik për të njëjtin, do të përfshihen në të edhe vërejtjet e ekspertëve për këtë lëmi.

SHPËRNDAJE