Një shqiptar nga jugu i Mitrovicës është në mesin e tetë personave të cilët deri më tani janë identifikuar si të përfshirë në vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi.

Prishtinë, 7 shtator / Zëri & AIK-Presheva Jonë

Se emri i një shqiptari është në listën e të dyshuarve e ka konfirmuar për “Zëri”, njëri nga dy kryesuesit e hetimeve të ngjarjeve të fundit në veri, kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqri Syla.

Syla ka njoftuar për gazetën se shqiptari i përfshirë në “listën e zezë”, dyshohet për ndihmë kryesve të veprës penale, ngase i njëjti kishte tentuar të shkatërronte provat materiale, të cilat ishin përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.

“Përveç gjashtë të dyshuarve për vrasje të cilët janë banorë të Zubin-Potokut e rrethinës së këtij qyteti, prokuroria ka në listë si të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe njëri shqiptar, të cilët dyshohen për veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve për kryerjes së veprës penale”, ka njoftuar të martën Syla.

Shqiptari, i cili në jug të Mitrovicës udhëheq një sallon për shitjen e pjesëve të veturës si dhe serbi nga veriu, sipas Sylës, janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve.

SHPËRNDAJE