Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, komuna Skarbek e Brukselit organizoi disa aktivitete për komunitetin shqiptar në Bruksel. Fillimisht u vendosën kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut.

Pas 44 vjetësh, komuna do të restaurojë bazën dhe statujën e Heroit Kombëtar shqiptar. Monumenti i Skënderbeut u ndërtua në vitin 1968 me paratë e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë.

Më pas, në mjediset e Komunës u zhvillua një ceremoni festive me pjesëmarrjen e disa personaliteteve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por dhe nga familja mbretërore belge.

“Komuna e Skarbekut është shumë e lumtur t’ju mirëpresë dhe të festojë me ju këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë”, deklaroi Bernard Clerfayt, Kryetar i Komunës Schaerbeek, Bruksel.

“Në këtë vit jubilar duhet t’i tregojmë të gjithëve se populli ynë është një popull i qytetëruar që di të jetojë i lirë dhe i pavarur dhe që di të marrë në duar fatin e tij”, tha Sulejman Gjanaj, nënkryetar i PLL në Belgjikë.

Një tjetër aktivitet i organizuar nga kjo komunë ishte dhe inagurimi simbolik i mjediseve të klubit të futbollit “Kosova”, ku stërviten 18 ekipe të grupmoshave të ndryshme. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE