NDARJA NGA MIKU IM I SHTRENJTË, MULLA OSMAN ABAZI

Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Dita e djeshme për mua dhe për besimtarët myslimanë në Kosovë dhe jashtë saj ishte ditë pikëllimi e mërzie. Dje vdiq dhe u varros një nga figurat e shquara të Davetit Islam në Kosovë, Mulla Osman Abazi. Ishte një intelektual i vyer dhe me kualitete të veçanta. Ishte hoxhë e shkuar hoxhës!

U lind dhe u rrit në fshatin e tij Milloshevë (tani Azizije), KK-Kastriot, këtu mori shkollimin fillor për të vazhduar më pas me Medresenë e Mesme Alauddin në Prishtinë dhe studimet universitare në Rijad të Arabisë Saudite. Atje kreu Fakultetin e Akides (Kredos Islame) ndërsa në Kosovë u kthyer në vitin 1996 ku u angazhua menjëherë në fushën fetare. Në fakt, në vitin 1997 ai filloi punën si Imam, për të mos iu ndarë më kurrë kësaj detyre të shenjtë deri në vdekje.

Hoxhë Osmani ishte i përkushtuar pothuajse tërë kohën me librin e Zotit – Kur’anin. Kush më mirë e më rrjedhshëm se ai e lexonte Kur’anit? Atij i kishte dhuruar Zoti një zë të bukur dhe një dashuri të madhe ndaj këtij Libri, me çka edhe u bë i njohur në këtë drejtim. Ishte i mishëruar me Kur’anin ndërsa kalonte orë të tëra në xhami duke ua mësuar edhe të tjerëve.

Atij kurrë nuk i interesonin punët e askujt. Kurrë nuk e dëgjova duke përgojuar dikë. Ai kishte dert të madh Islamin dhe Davetin. Kishte brengë të madhe sesi ta çonte Islamin përpara në trojet tona.

Përpos ligjëratave të rregullta që i mbante në xhamin e tij dhe jashtë saj, gjente kohë të merrej edhe me libra, me përkthime e shënime. Libri i tij “Shenjat e Kiametit” tashmë është i njohur dhe i përhapur thuaje në tërë trojet shqiptare dhe jashtë saj. Ai edhe pasi u sëmurë, ashtu me gjithë telashet e mëdha të sëmurjes së tij, prapë vazhdonte të punonte me libra. Për këto dhe shumë gjëra tjera, unë sa e sa herë i kam thënë kolegëve dhe miqve të mi: Hoxha Osmani është hoxha më i mirë në Prishtinë. Lumë qyteti që e ka!

E për mua personalisht, ai ishte shoku dhe miku im i ngushtë. Ishte hoxha i lagjes dhe familjes sime. Atë e kisha në një farë mënyre një shtyllë të fortë. Tek ai gjeja mbështetje dhe përkrahje për punët që i ndërmerrja e i bëja. Ai më përkrahu edhe në çastet më të vështira që kalova gjatë jetës sime, në sprova të ndryshme. Gjithherë më thoshte “vazhdo të punosh, se ti e ke mirë!” Disi ma freskonte zemrën, m’i lehtësonte vështirësitë!

Jo vetëm prishtinasit, si xhemat i tij, por edhe shumë besimtarë nga Kosova, nga Drenica e Llapi, vinin në Prishtinë për tu falur në xhaminë e Mulla Osmanit dhe për ta takuar hoxhën e nderuar. Bile pak kush mbetej edhe nga diaspora që vinte në pushime e që nuk vinte te xhamia e tij për ta takuar atë. Me pak fjalë xhamia e tij dhe ai ishin një vend takim i besimtarëve.

Hoxhë Osmani ishte i mirë sa ishte student në Rijad të Arabisë Saudite, ku kohë të gjatë kemi kaluar bashkë atje. Ishte i mirë edhe këtu në Kosovë, si Imam dhe thirrës, i mirë si bashkëshort dhe prind, i mirë si hoxhë e si fqinj. Andaj largimi i tij nga ne është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij dhe për mua, por edhe për xhematin e xhamisë dhe tërë besimtarët myslimanë në Kosovë dhe Ballkan.

 

Atë gjatë do ta kujtojmë, veprat e tij, në veçanti përkushtimi i tij ndaj Kur’anit do të vazhdoj të jetë një frymëzim për ne që të përkushtohemi sa më shumë ndaj librit të Zotit në të cilin është tërë hairi dhe e mira.

Ka shumë hoxhallarë falë Zotit dhe do vijnë inshallah edhe të tjerë, por si Mulla Osmani pak do ketë! Atë Allahu e zgjodhi për ta sprovuar me një sëmundje të rëndë dhe shumë të rrallë e cila gati se për një vit e gjysmë e mundoi shumë, për ta dorëzuar shpirtin Zotit të tij në moshën dyzet e tre vjeçare. Ai edhe në çastet e fundit të jetës, nuk e linte namazin, gjatë gjithë kohës lexonte Kur’an, kurrë nuk e dëgjuam duke u ankuar. Por një sabër e durim të rrallë, gjë që na kujtonte sabrin e burrave të mëdhenj, si Pejgamberëve [alejhimuselam] dhe të tjerëve.

Allahu e pastë mëshiruar vëllain dhe hoxhën tonë, e neve të gjithëve na çoftë sabër për dhe na bashkoftë serish në botën tjetër në Xhenetet e larta e të çmuara!

Amin dhe deri javën te ardhshme me një temë tjetër!

Selam alejkum!


1 Komente

  1. Shqyptar, September 5, 2012:

    Edhe shpendet qajne kur vdes nje dijetar sepse ndaj tyre shtohet zullumi i njerezve t’paudhe! Paqe!

Komentoni