Për shkak të reshjeve intensive të borës dhe disa orteqeve që kanë pasuar në rrugë është ndërprerë plotësisht aksi rrugor që çon drejt Mavrovës dhe Dibrës.

Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, bora që ka rënë intensivisht në pjesën më të gjërë të Gostivarit po e përkeqëson situatën në komunikacion, ndërsa në disa pjesë mungon edhe furnizimi me ushqime dhe barëra.

Në aksin rrugor Hanet e Mavrovës dhe Dibër janë regjistruar disa orteqe që kanë pasuar me shembjen e tokës, ndërsa një orteq më masiv është regjistruar në aksin në afërsi të Manastirit Shën Bigori. QMK bëri të ditur se komunikacioni në këtë aks rrugor është bllokuar për të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe makinat.

Nga kjo situatë e krijuar, tashmë janë bllokuar një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj zone, dhe pritet ndërhyrje emergjente. Numri më i madh i fshatrave të izoluara janë në kuadër të komunës së Vrapçishtit.

Në komunën e Gostivarit më problematike është pjesa jugore e komunës, dhe për shkak të reshjeve intensive dhe bllokimit të borës probleme paraqiten në akset rrugore që çojnë drejt fshatrave Sushicë, Gjonovicë, Srbinovë, Padalishtë. Banorë të këtyre zonave kanë apeluar për ndihmë dhe ndërhyrje. Komuna ka theksuar se është në aktivitet intensiv për të krijuar kushte normale në këtë situatë të reshjeve intensive të borës.

SHPËRNDAJE