Maqedonia do të ftohet përsëri për t’iu bashkuar NATO-s, pasi të zgjidhë kontestin për emrin me Greqinë. Ky ka qenë reagimi i sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Anders Fog Rasmusen, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, se Athina kishte gabuar që e kishte penguar pranimin e Maqedonisë në NATO, në vitin 2008.
“Kjo nuk ka efekt në vendimin e aleatëve të NATO-s në samitin e Bukureshtit në vitin 2008”, tha zoti Rasmusen, në një kumtesë. Ai bëri me dije se aleanca ka rënë dakord që “një ftesë do t’i dërgohet Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sa më shpejt që të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciproke për çështjen e emrit”.
Ndërkohë, Greqia ka njoftuar sot se do të vazhdoj te kundërshtojë Maqedoninë fqinje në anëtarësim në NATO dhe në BE me këtë emër, përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
“Greqia do të vazhdoj të zhvilloj negociata me besim të mirë për arritjen e zgjidhjes së pranueshme reciproke për emrin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, brenda frymës dhe fjalëve të rezolutave relevante të Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, ka kumtuar Ministria e jashtme e Greqisë.

SHPËRNDAJE