Nano lëshon ndonjë deklaratë nga kompjuteri për të larguar Berishën. Madje e rrit dozën e kritikave aq shumë sa thotë se Berisha po kërkon strehim politik tek presidenti i Azerbajxhanit

 

Lëvizja “Nano për Fitoren e Socialistëve” lëshoi sërish një deklaratë për mediat. Duke qenë se përtojnë të ngrihen edhe nga kompjuteri për të dalë gjëkundi, mjaftohen me një e-mail.

Kësaj here Nano ka zbuluar se Berisha po pengon integrimin dhe nuk duhet toleruar. Madje opozita e Nanos shkon larg kur thotë se Berisha bën afera me presidentin e Azerbajxhanit.

“Ne ndihemi të vlerësuar si shqiptarë dhe krenarë për marrjen e Presidencës së KiE nga Shqipëria, por Kryeministri Berisha nuk mund të tolerohet në përdorimin e kësaj ngjarjeje si sukses personal apo qeveritar, në një kohë kur praninë e tij në Asamblenë e KiE e përdor si justifikim për arratisjen nga reformat dhe nga detyrimi për bashkërendim me opozitën, me grupet e interesit dhe me institucionet e pavarura kushtetuese, duke dëmtuar rëndë mundësitë e Shqipërisë për integrimin në BE”, thuhet në deklaratë.

“Sali Berisha nuk mund të tolerohet në arbitraritetin e tij të pashërueshëm, kur ndërsa dështon me integrimin në BE, kërkon strehim politik në KiE. Sali Berisha nuk mund të tolerohet në paaftësinë e tij qeverisëse, me të cilën po thellon krizën ekonomike e sociale në vend dhe po vazhdon të devijojë aksin e zhvillimit demokratik, perëndimor dhe integrues të Shqipërisë, ndërsa rend për të kërkuar “strehim” politik dhe afarist në krahët e Presidentit të Azerbajxhanit Aliev”, vijon deklarata.

Lëvizja Nanon mbështet partitë e vogla në kërkesat për kodin e ri zgjedhor dhe kërkon që opozita të bashkohet për të rrëzuar Berishën.

“Lëvizja Nano për Integrim Europian kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë sa më parë, me konsensus të plotë dhe parimor, një Kod Elektoral që shënjestron votën e lirë dhe barazinë e votës sipas standardeve të BE. Progresistët Europianë të bashkuar në Lëvizjen Nano synojnë të shndërrohen në promotorë bashkimi të popullit opozitar dhe të të gjithë faktorëve politikë opozitarë, që të gjithë së bashku, ta mundim Sali Berishën dhe regjimin e tij dështak, krizëndjellës e kinse-europianist, duke i fituar të bashkuar zgjedhjet e vitit 2013.”

SHPËRNDAJE