Bujanoc, 19 korrik/Presheva Jonë

Seanca e radhës e Asamblesë Komunale të Bujanocit, mbajtur të martën, me këshilltarët multietnikë, me ç`rast pritej shkarkimi i përfaqësuesve të partisë së re nga postet që i kanë mbajtur deri më tani, rezultoi e pasuksesshme për shkarkimin e postit të nënkryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi,njofton KohaNet.

Gjatë zhvillimit të kësaj seance pati debate, akuza dhe reagime të ashpra të këshilltarëve të PVD-së dhe të partisë së re (Partisë Demokratike) në njërën anë, si dhe ndërmjet prefektit të Bujanocit, Shaip Kamberit, dhe liderit të PD-së, Nagip Arifit.
Për shkarkimin nga posti i nënkryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi, nga gjithsej 41 këshilltarë komunalë sa numëron Asambleja Komunale e Bujanocit, në sallën e Kuvendit gjendeshin gjithsej 24 këshilltarë të koalicionit multietnik, përjashtuar katër këshilltarë të partisë së re dhe 13 këshilltarë të tjerë serbë, të cilët abstenojnë rregullisht në punimet e asamblesë komunale.
Nga 24 këshilltarë të koalicionit multietnik të Bujanocit, për shkarkimin e Arifit votuan 17 këshilltarë, 5 këshilltarë votuan kundër shkarkimit të tij dhe dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme, çka ky votim rezultoi me mbetjen në postin e nënkryetarit edhe më tej të Nagip Arifit dhe njëkohësisht tregoi dështimin e koalicionit multietnik në Bujanoc.
Nga ana tjetër, kryetari i Asamblesë së Bujanocit, Jonuz Musliu, njëherësh dhe lider i LPD-së, pas votimit për shkarkimin nga posti i nënkryetarit, tërhoqi nga rendi i ditës edhe pikat tjera që kishin të bënin me shkarkime tjera të përfaqësuesve të tjerë të partisë së re, dhe se seanca në fund rezultoi e suksesshme me emërimin e drejtorit të ri në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc dhe riemërimin e drejtorit të barnatores, me ç`rast për këto poste drejtorish votuan pro edhe këshilltarët shqiptarë të partisë së re.

SHPËRNDAJE