Shkruan: Adelina MARKU

Dhe pa dilema, nuk do ishte kjo luftë mes qytetërimeve ose rretheve kulturore, për mua kjo është lufta mes progresit dhe zymtësisë. Është ai divorci për të cilin flet Morrisoni, divorci i gjeneratës së re me të vjetrën sa për t’iu shkëputur përherë frikës për mbijetesë

Tek dëgjova mbrëmë deklaratën e Gadafit të luajtur mendsh dhe atë as më shumë e as më pak se “shpalljen e Xhihadit përmes Bin Ladenit botës perëndimore” edhe në Libi, m’u rrotullua në mendje përjetimi im dhe i shumë shqiptarëve të botës tek zveniteshim e maktheshim nga dilema nëse bota e kuptonte gjenocidin që ushtrohej në Kosovë. Donim të reagonte, ndërsa porosinë prisnim ta përçonte vetë realiteti i zymtë i shqiptarit në Kosovë. Dhe si sot më kujtohet Afrimi Gjonbalaj, gazetar dhe korrespondent në atë kohë, i cili ndër të parët edhe me mua ndau lajmin se “Do i bien, do i bien Adelinë… Vendimi sapo u mor këtu në Këshillin e Ministrave në Bruksel!”. Ishte vendimi i shpalljes se “No flight zone!” nga ana e NATO-s forcave të Beogradit. Por, si do të dukej, a do të ishte e vështirë, a do të vriteshin njerëzit e pafajshëm, a do të shpërndahej edhe më shumë, ç’domino efekt do të shkaktonte ky vendim Afrim? – dëgjoja veten hedhur në rreshtimin e pyetjeve e dilemave dhe frikërave të mia. “Nuk do jetë e lehtë, por mos harro NATO-ja është superfuqi militante dhe e mbrojtjes tanimë …nuk do dyshoja për asnjë çast në strategjinë e saktë të saj”, – m’u përgjigj ai. Tetova dhe e gjithë Maqedonia perëndimore atëbotë ishte mbushur me shqiptarë nga Kosova, të cilët dëboheshin me dhunë nga atdheu. Sikur asnjë moment qetësie mendjeje nuk krijohej dot në atë zhurmë dhe në atë qartësi njëkohësisht. Ishim të lodhur? Jo, ishim në pritje, e gjithë bota priste. Kishim frikë? Jo, kishim matjet tona të sakta atëherë, ishin aq të sakta, sepse për herë të parë ishin të zemërta, të urta, praktike dhe gjithëshqiptare; nuk do përkrahej ideja e Gligorovit për krijimin e korridoreve tej Maqedonisë për të dëbuarit, pasi vendimi shqiptar për shqiptarët ishte shumë i gjakut, ata do strehoheshin te ne …deri në një! Dhe ky vendim ishte shkuar ultimatumit! Në “Ra ky mort e u pamë”, ngjante ajo histori mbijetese dhe lirie, por ra ky mort dhe u lidhëm fort ishte po ashtu ajo histori. “NATO-ja ia mëshon nesër Adelinë!” – po, kështu më tha Afrimi nga Brukseli. Dhe vërtet hataja u bë; dhe vërtet ne shqiptarët shpallëm vëllain tonë të madh NATO-n. Ah dhe vërtet, legjenda e skenës politike atëherë për ne të gjithë ishte kush tjetër pos Jamey Shea – ky zëdhënës avangardë e i paarrirë i kësaj organizate gjigante. E si mund të harrohet ajo histori! Do të jetë brenda e nën lëkurën time përgjithmonë. Bota i frikësohej Millosheviçit njësoj si tani lemeritet nga Gadafi i luajtur mendsh! Të jetë paparashikueshmëria në pyetje, të jetë frika se mos ndoshta shpallja e “No fly zone” mund të provokonte “fantazitë e dyndjet” për një luftë fetare? Një politolog, Benjamin Barber, thotë se nuk mund të zërë vend koncepti “luftë fetare” në një botë e cila panda kërkon të hapet. Ai thotë se shoqëria aktuale botërore ndodhet në një gjendje të mesme eksplozive midis McWorldit dhe Xhihadit, d.m.th. midis ekonomisë globale të tregut dhe nacionalizmit miop. Ai vazhdon se ekonomia globale e tregut sheh te njeriu në radhë të parë konsumatorin, ndërsa nacionalizmi thekson nëpërmjet “lidhjeve të gjakut” dhe kritereve të tjera imagjinare bashkësinë që duhet të qëndrojë e lidhur fort. E çuditshme se sa i druhen të dyja palët shoqërisë civile, sepse vazhdimisht ato mohojnë institucionet demokratike dhe të drejtat qytetare. Ajo që për momentin bën revolucionin në botën arabe është qytetari dhe shoqëria civile. Aty, aty ka zbritur pakënaqësia dhe revolta e njëkohësishme edhe ndaj Xhihadit, por edhe ndaj McWorldit. Por paska diçka të ngjashme mes këtyre dy koncepteve në shikim aq antagoniste, citoj përsëri Barber-in, ato në njëfarë kuptimi janë anë të kundërta të një medaljeje. McWorld ngre tregjet globale, ndërsa Xhihadi himnizon “bashkësinë etnonacionale të gjakut”. Dhe mbi të gjitha, të dyja këto koncepte i bien ndesh shtetit kombëtar. Këto analiza sociologësh e politologësh, përvoja e hidhur e vajshme në Bosnjë dhe “succes story” i NATO-s në Kosovë më bën që të mbamëndem deklaratës së sekretarit gjeneral të NATO-s dhënë jo më larg se mbrëmë: “Ne në NATO qëndrojmë në gatishmëri për çdo eventualitet. Tani për tani fokusi mbarëkombëtar është i përqendruar në aspektet e humanitares. NATO nuk është në gjueti të shkaqeve për të intervenuar në Libi, por si një organizatë e mbrojtjes dhe sigurisë ne kemi planet tona të domosdoshmërisë. Nëse regjimi libanez vazhdon me sulmet mbi popullsinë nuk mund të imagjinoj se komuniteti ndërkombëtar do të qëndrojë anash e pa bërë gjë”. “SHBA-ja beson se NATO është zgjedhja natyrale për çdo aksion militar” – citoj të ketë thënë një zyrtar amerikan në takimin e ministrave të Mbrojtjes së 28 shteteve të aleancës ditën e enjte. Ndërsa në Paris, një diplomat frëng insistonte se “së bashku me Britaninë, ne po punojmë në atë se çka mund të bëhet pa NATO-n. Pasi, druaj se pamja e flamurit të NATO-s në Libi mund të ishte provokativ”. Ndërsa unë pres përsëri të njëjtën thirrje nga Brukseli, të dëgjoj Afrimin të më thotë “Do i bien Adelinë, po, vendosën t’i bien Gadafit Adelinë!” Dhe pa dilema, nuk do ishte kjo luftë mes qytetërimeve ose rretheve kulturore, për mua kjo është lufta mes progresit dhe zymtësisë. Është ai divorci për të cilin flet Morrisoni, divorci i gjeneratës së re me të vjetrën sa për t’iu shkëputur përherë frikës për mbijetesë. Pastaj paradigma e përplasjes së qytetërimeve ka një forcë shumë të madhe sugjestive, për arsye se në njërën anë ajo futet në etnizimin aktual të politikës, në anën tjetër ndihmon që të kapërcehet kaosi botëror nëpërmjet kategorive etnike përsëri. Bota është e rrumbullakët, ky rreth ka bërë dhe përzierjen dhe mbllaçitjen e kulturave e civilizimeve, sado duan ato të mbeten të virgjëra e me fisnikëri të grupit. E bukura është se progresistët e mbarë botës kërkojnë të bien diktatorët ngadalë, të matufllosurit dhe të urryerit përjetësisht.

SHPËRNDAJE