Mustafa: Nuk duhet të bisedohet me Stefanoviqin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten se Kosova nuk duhet që të hyjë me çdo kusht në bisedime me Serbinë dhe ajo duhet të vendosë kushte të qarta në mënyrë që Serbia të heqë dorë nga strukturat paralele dhe krimi i organizuar në veri.

Sipas Mustafës është absurde që përfaqësuesja e Kosovës në dialogun me Serbinë Edita Tahiri të bisedojë me shefin e ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq, për shkak se ky i fundit përkrah strukturat paralele dhe krimin e organizuar në veri të Kosovës.

“Duhet të zgjedhim se me kënd ne do të bisedojmë, sepse është absurde që përfaqësuesi jonë të bisedojë me njeriun, i cili bashkëpunon edhe i organizon strukturat kriminale në veri të Kosovës, përkrah mbylljen e rrugëve dhe shprehet që ai territor është territor i Serbisë. Në këtë rast duhet ta ruajmë dinjitetin, por do ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë dhe duhet të flasin me ata që shprehin haptas pretendime ndaj një pjese të territorit të një vendi”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, kreu i LDK-së ka sugjeruar që Kuvendi i Kosovës duhet të marrë një vendim tjetër nëse duhet të shkohet apo jo në këto bisedime pas rrethanave të fundit të krijuara në veri.

“Zonja Tahiri po vepron në bazë të vendimit që ka marrë nga shumica që është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ne mendojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë vendim tjetër të rishikojë vendimin dhe që marrja apo mospjesëmarrja e bisedimeve të jetë një rezultat i vendimit të ri, sepse kanë ndryshuar rrethanat nga 25 korriku kur është bërë intervenimi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë”, ka thënë ai.

Ndërkaq një parti tjetër opozitare, e cila vazhdimisht dhe fuqishëm ka kundërshtuar negociatat me Serbinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje, deputeti i së cilës Glauk Konjufca ka thënë se politikanët e Kosovës po punojnë për interesat e tyre dhe jo për interesat e qytetarëve.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka shumë të qarta qëndrimet për negociatat. Mendojmë që politikanët e Kosovës janë të shantazhuar dhe nuk e dëgjojnë Lëvizjen Vetëvendosje, por as zërin e interesit të qytetarëve të Kosovës. Mendoj që ata plotësisht përbrenda agjendave tjera dhe cili do të jetë çmimi për Kosovën, madje edhe për karrierën e tyre politike ata nuk e kanë gajle. Mendoj që ata e kanë mision, e kanë marrë mision këtë farë pune dhe për gjithçka tjetër është e tepërt të komentoj”, ka thënë Konjufca.

Ndërhyrja e policisë së Kosovës në pjesën veriore për të marrë pikat kufitare 1 dhe 31 për të ndaluar kontrabandën në këtë pjesë të vendit pas vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë, ka ngjallur debat tek opinioni vendor lidhur me atë se nëse duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, apo jo.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni