Dy ditë pas arrestimit të Sami Hamitit, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk është në dijeni se për çfarë akuzohet vartësi i tij. Ndërkohë që EULEX-i ka njoftuar se po heton Hamitin dhe dy biznesmenë për korrupsion dhe zhvatje.

Kryetari i Komunës së Prishtinës. Isa Mustafa, ka thyer heshtjen lidhur me arrestimin e njërit prej zyrtarëve më të lartë në këtë komunë, Sami Hamiti.

Ai ka deklaruar sot se nuk është i informuar se për çfarë ngarkohet Hamiti nga organet e drejtësisë.

“Meqenëse ka pasur pritje të opinionit që ne të prononcohemi lidhur më rastin e kryetarit të Kuvendit, dua tu them se Komuna e Prishtinës akoma nuk ka një informatë ose vlerësim të organeve të drejtësisë lidhur më atë se për çfarë ngarkohet zoti Hamiti. Prandaj ne nuk kemi pasur mundësi që edhe të japim vlerësime, si Komunë lidhur më atë çështje”, ka thënë Mustafa, në një prononcim për medie.

Kryetari i LDK-së ka shtuar se nuk dëshiron të flasë më shumë për rastin Hamiti, në mënyrë që të mos ndikojë në punën e organeve të drejtësisë.

Sami Hamiti, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe zyrtar i lartë i LDK-së, është arrestuar të mërkurën nga policia e EULEX-it, bashkë me biznesmenët Agim Ademi dhe Muharrem Rama.

Pronari i kompanisë “Capital Ring”, Dritëro Kadolli, i ka denoncuar dy biznesmenët se i kanë kërkuar në emër të Sami Hamiti tri shtëpi dhe një veturë BMW X5.

Biseda gjatë të cilës është bërë kjo kërkesë është incizuar nga hetuesë të EULEX-it.

Tre të akuzuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

SHPËRNDAJE