Zhgënjimi në Madrid është i madh. Eliminimi nga Bajerni i Munihut në gjysmëfinale pas penalltive e ka goditur rëndë Realin.

Trajneri portugez, Zhoze Murinjo mendon se lodhja pas ndeshjes kundër Barcelonës në “El Clasico” e ka bërë të veten dhe sipas tij diferencën e ka bërë fakti që Bajerni në fundjavë i ka pushuar futbollistët e saj kryesor. “Ishim të lodhur, kjo u pa qartë. Nuk kam për çfarë të ankohem ndaj futbollistëve. Kam qenë edhe më herët në situata të këtilla. Ne në fundjavë luftuam për titullin e kampionit, kurse Bajerni i pushoi lojtarët.

Por, ne nuk kishim zgjidhje tjetër, sepse përballë e kishim Barcelonën dhe në atë ndeshje vendosej titulli”, ka theksuar Murinjo, për të shtuar: “Djelmoshat e mi luajtën shkëlqyeshëm kundër një skuadre fantastike. Kjo ishte një ndeshje shumë e mirë në aspektin taktik. Kur rezultati ishte 2:1 të dyja skuadrat u frikësuan të bëjnë gabime dhe luajtën me kujdes të shtuar. Ky është futbolli, kjo është jeta. E donim finalen. Jam shumë më i pikëlluar për futbollistët se sa për veten time. Sidoqoftë duhet të qëndrojmë të fortë. Vitin e kaluar e fituam Kupën e Mbretit, kurse sivjet nëse e fitojmë titullin e kampionit do të thotë se po e bëjmë një hap përpara drejt rrugës së duhur”. Portugezi ka bërë të ditur se do të qëndrojë në klubin madrilen edhe në të ardhmen në rast se drejtuesit e klubit e dëshirojnë një gjë të tillë dhe mendojnë se ai është njeriu i duhur për ta drejtuar Realin. Ndërkaq, sa i përket finales ai pret një ndeshje të shkëlqyeshme, derisa ka thënë se do të bëjë tifo për Celsin. Ndërkohë, Serxhio Ramos, i cili dështoi në serinë e penalltive është shprehur: “Sërish do të gjuaj penalltitë, ky është futbolli. Ndjehem shumë keq, por jeta shkon tutje. Ne u angazhuam maksimalisht në këtë sfidë, por nuk arritëm të bëjmë më shumë”. Në anën tjetër, Iker Kasilas, i cili priti dy penallti ka përgëzuar bavarezët për kualifikimin. “Luajtëm mirë, por penalltitë janë fat. Sidoqoftë, duhet t’ia shtrijmë dorën Bajernit dhe ta përgëzojmë për kalimin në finale”, ka theksuar Kasilas.

SHPËRNDAJE