Jankullovska: Mos t’i jepet ngjyrim etnik ngjarjes

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ende nuk ka një pistë të mundshme të motivit dhe autorëve të vrasjes së pesëfishtë në rajonin e Shkupit. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska në një deklaratë për mediat ka theksuar se është duke u punuar në mënyrë intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ajo tha se janë marrë edhe rezultatet e autopsisë, të cilat konfirmojnë se ndaj viktimave është qëlluar nga tre armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe nga më shumë persona. Jankullovska gjithashtu tha se është zgjeruar lista e personave të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e kryer në afërsi të fshatit Smilkovc. Numri një i Ministrisë së Brendshme gjithashtu ka theksuar se është kërkuar ndihmë nga shërbimet e shteteve fqinje, për bashkëpunim nëse posedojnë ndonjë informacion të mundshëm.
Jankullovska u bëri thirrje edhe qytetarëve që mos këtë vrasje me ose pa qëllim të mos e shfrytëzojnë për rritjen e tensioneve ndëretnike, aq më shumë kur ende nuk dihet identiteti i autorëve apo përkatësia e tyre etnike. Jankullovska gjithashtu siguroi se forcat policore i kanë ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Maqedoni, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

SHPËRNDAJE