Mori Shkodër, moj mizore, pak na u duke e shumë na dole…




 




Rinisi procesi mësimor në disa shkolla të qarkut të Shkodrës

Procesi mësimor i ndërprerë prej dy javësh për shkak të përmbytjeve që përfshinë qarkun e Shkodrës, rinisi sot në 12 shkolla të sistemit 9-vjeçar dhe 6 të mesme, me përjashtim të shkollave të Dajçit, Velipojës, fshatit Obot në komunën e Anës së Malit, pjesërisht në komunat e Berdicës dhe të Bushatit, ku niveli i ujit është ende i madh. Fëmijët nga këto zona të sistemuar në konviktet e qytetit, rinisen mësimet në shkollat më të afërta, ndërsa janë pajisur me librat dhe bazën materiale mësimore nga drejtoria arsimore. Moti sot është i qëndrueshëm, ndërsa vijon tërheqja e mëtejshme të ujit, ku më e theksuar vërehet në rrugën hyrëse të qytetit në Xhabiaj, ku kanë filluar të qarkullojnë jo vetëm mjetet e larta dhe foristradat, por dhe autoveturat.

Lindi një fëmijë pas përmbytjeve që përfshinë Velipojën

Në Velipojën e rrethuar nga uji, në mbrëmje vonë ka ardhur në jetë një djalë. Nëna e re, Violeta Marku, është asistuar nga një ekip mjekësor i nisur nga Lezha, që për të mbërritur te ajo, ka udhëtuar me varkë. Me zbardhjen e ditës është bërë i mundur transportimi me helikopter për në Lezhë, për t’iu nënshtruar një kujdesi më të specializuar në maternitetin e qytetit. Vetë nëna e re duket se është mirë. Gjatë paradites nëna e re është vizituar nga kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha, një pediatre kjo me mjaft eksperiencë. “Dua të falënderoj të gjithë mjekët që në këto kushte iu janë përgjigjur urgjencave”, tha Berisha. Në spital kanë mbërritur edhe zv/kryeministri Ilir Meta dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili e ka ndjekur këtë rast lindje në vazhdimësi. “Kjo lindje e suksesshme do të jetë edhe një ogur i mirë për ta lënë prapa këtë situatë të vështirë në të gjithë këtë komunitet”, tha Meta.

Përmbytjet, Berisha: Dëmshpërblimi për Shkodrën, pas emergjencës

Kryeministri Sali Berisha premtoi sot se do të dëmshpërblehen të gjithë banorët e zonës së Shkodrës të cilët pësuan dëmtime në banesa dhe në pasuri si pasojë e përmbytjeve të fundit.

Kryeministri Sali Berisha ka thënë se pas përfundimit të fazës së emergjencës do të ngrihen komisionet përkatëse që do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. “Më pas, do të bëhet dëmshpërblimi në bazë të dispozitave të ligjit të digave”, tha Berisha. Ai ka thënë se asnjë punonjësi shtetëror nuk do ti mbahet paga me urdhër për grumbullimin e fondeve në ndihmë të Shkodrës.

Deklaratat u bënë gjatë një vizite të kryeministrit në zonën e Shkodrës ditën e sotme ku inspektoi punën e Shtabit të Emergjencës në ndihmë të banorëve.

Drejt përmirësimit situata në Shkodër

Situata e përmbytjeve në qytetin e Shkodrës është duke shkuar drejt përmirësimit. Aktualisht nga matjet e fundit brenda në qytet niveli i ujit ka arritur në 30 centimetra. Edhe sipërfaqja që ndodhet nën ujë është tkurrur ndjeshëm duke arritur në 11 mijë e 440 hektarë nga 14 600 që ishte disa ditë më parë. Gjatë gjithë kohës vazhdon shpërndarja e ndihmave për banorët e dëmtuar. Deri më tani janë shpërndarë rreth 1 mijë e 400 tonë ushqime si dhe 395 tonë për gjënë e gjallë. Të bllokuara vazhdojnë të jenë komunat Bushat dhe Ana e Malit si dhe fshati Mali i Jushit dhe Hotem. Sipas të dhënave, të përmbytura janë ende 4660 shtëpi ndërsa 4630 janë të rrethuara nga uji. Problematik vazhdon të jetë dhe niveli i lartë i liqenit të Shkodrës.

Shkodër: Rënie e nivelit të ujit

Niveli i ujit në Shkodër ka shënuar rënie të ndjeshme. Rrugët gradualisht po bëhen të kalueshme për mjetet e rënda. Shtabi i Emergjencës ka bërë të ditur për zvogëlim të sipërfaqes nën ujë. Aktualisht nën ujë mbeten 11 440 hektarë tokë. Mësohet se situata është përmirësuar edhe në komunat më të goditura Dajç, Bushta dhe Guri i Zi. Megjithate, akset rrugore që çojnë në këto komuna mbeten të bllokuara


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni