Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës Nazmi Mustafi, si dhe një person jozyrtar i afërt me prokurorin në fjalë. Këta të fundit janë prangosur nën dyshimin për përfshirje në afera korruptive. Këto arrestime vijnë disa ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, për zhytjen e zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës në korrupsion. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e këtyre personave ka nisur rreth orës 14 e 30 me bastisjen e zyrës së prokurorit në Prokurorinë Speciale, si dhe dy shtëpive të personave të dyshuar njëra në Prizren dhe tjetra në Pejë. Burimet e njëjta kanë thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe mund të ketë arrestime të reja të personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast. Po ashtu është bërë e ditur se prokurori Nazmi Mustafi është arrestuar me dyshimet që kanë të bëjnë me një transaksion bankar nga Zvicra. “Prokurori në fjalë kryesisht është marrë me lëndë të cilat kanë pasur të bëjnë me raste të rënda korruptive financiare, dhe se dyshimet për të janë se gjoja atij i është bërë një pagesë nga shteti i Zvicrës, por nuk dihet ende se cilat janë arsyet se pse i është bërë ky transfer i parave”, është shprehur burimi për gazetën. Ai po ashtu ka bërë të ditur se rasti është hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, ndërsa hetimet i ka kryer drejtoria e krimeve të rënda në Prishtinë, të cilët bashkërisht e kanë hetuar këtë lëndë, shkruan “Kosova Sot”.

SHPËRNDAJE