“Ishte takim i frytshëm për bashkëpunimet mes institucioneve dhe shqiptarëve të kësaj lugine. Në qendër të diskutimeve patëm festimet e përbashkëta për 100-vjetorin e pavarësisë, diskutime rreth arsimit për përafrim të teksteve, rreth bashkëpunimeve në rrafshin ekonomik. Po kështu do të nënshkruajmë një marrëveshje për të dërguar tekste për ciklin e ulët dhe atë të mesëm, folëm për njohjen e diplomave nga Serbia, si dhe bisedime për cështjen e shqiptarëve atje. Shqiptarët janë faktor kyc dhe kontribut në stabilitetin dhe paqen në rajon. Jam i bindur se kontributi i deputetëve të pranishëm sot do të forcohet, në mënyrë që shqiptarët e Luginës së Preshevë të gëzojnë standarte të larta bashkohore Evropiane”-tha Haxhinasto.
Nga ana tjetër deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik Riza Halimi, u shpreh i kënaqur nga takimi dhe shtoi se është optimist se të gjitha problemet atje do të zgjidhen në sajë të mbështejes së faktorit shqiptar, kryesisht problemet për lëvizjen e lirë. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës theksuan se kanë realizuar takime dhe me përfaqësues të lartë të vendit tonë, si Kryeministrin Berisha dhe Kryeparlamentaren Topalli.

 

Haxhinasto i siguroi bashkëbiseduesit se mbështetja e Shqipërisë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc do të vazhdojë të jetë e plotë, duke synuar kontribute konkrete. Qeveria shqiptare do të punojë që shqiptarët në Republikën e Serbisë të trajtohen sipas standardeve të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike, në mënyrë që ata të integrohen plotësisht si qytetarë tё barabartë në jetën dhe institucionet e vendit ku jetojnë.

Përfaqësuesit shqiptarë nga Lugina e Preshevës parashtruan kërkesat e tyre për një mbështetje më të madhe, për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Serbi, si: lëvizja e lirë, arsimi, kultura dhe punësimi, nevoja për pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse në organet shtetërore të Republikës së Serbisë, etj.

Pas takimit, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe përfaqësuesit nga Kosova Lindore dhanë një konferencë për shtyp.

Haxhinasto: Përshëndetje të gjithëve. Sapo përfunduam takimin me deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës, Riza Halimi dhe me Kryetarin e Këshillit të shqiptarëve në këtë Luginë, Galip Beqiri. Ishte një takim shumë i frytshëm pasi diskutuam një sërë çështjesh të rëndësishme: për thellimin e bashkëpunimit të shkëmbimeve midis Republikës së Shqipërisë, institucioneve shqiptare dhe shqiptarëve të kësaj Lugine si dhe për çështjen madhore që kemi këtë vit, festimet e përbashkëta për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kemi diskutuar gjithashtu edhe për çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me arsimimin, me tekstet shkollore, me zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit në atë zonë. Kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë, që të ketë një angazhim më të madh përsa ai takon çështjes së teksteve. Së bashku me homologët e institucioneve përkatëse të Serbisë do të arrijmë një marrëveshje për tekstet që do të dërgojmë për ciklin e ulët dhe shkollën e mesme të Luginës së Preshevës. Po kështu një çështje e rëndësishme që prek direkt shqiptarët e Luginës së Preshevës, është ajo e njohjes reciproke të diplomave, pra marrëveshjes për këtë qëllim me Serbinë, një çështje që ne e ndjekim dhe e kërkojmë në mënyrë të vazhdueshme pranë autoriteteve të Serbisë. Kemi folur gjithashtu edhe për çështje panshqiptare, që prekin të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat e tyre dhe kemi ndarë mendimin, se faktori shqiptar në rajon është një faktor shumë konstruktiv, i cili e shikon integrimin e tij të plotë. Shkëmbimet pa asnjë kufizim, arsimimi në gjuhën amtare, shkëmbimet ekonomike, lëvizja e lirë në rajon, të përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme sa më shumë në vendet ku shqiptarët jetojnë, që ata të afrohen drejt Bashkimit Evropian. Kjo është një përpjekje e përbashkët, e cila kontribuon për të gjithë rajonin, për ta bërë një rajon sa më evropian sa më të pashëm dhe sa më të zhvilluar.

Halimi: Ishte një mundësi e jashtëzakonshme që me zv. kryeministrin Haxhinasto biseduam për probleme të ndjeshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zgjidhja e të cilave kërkon sigurisht një ndihmë të madhe të konsiderueshme të qeverisë shqiptare. Unë jam optimist se me forca të përbashkëta në kuadër të proceseve demokratike, të gjitha këto probleme do t’i zgjidhim edhe pse kërkojnë një përkushtim, një angazhim të jashtëzakonshëm dhe posaçërisht këto ditë kur kemi dhe probleme të qarkullimit të lirë të qytetarëve. Edhe pas bisedave dhe marrëveshjeve në Bruksel mjerisht kemi probleme në terren me policinë jashtëzakonisht të përqendruar, dhe kjo situatë tani për tani, më së shumti, godet shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por besojmë se çështja e qarkullimit të lire do të zgjidhet së shpejti. Diskutuam edhe shumë probleme që Haxhinasto sapo i përmendi, që janë me rëndësi vitale për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe nga kjo bisedë shumë optimiste mendoj që së bashku do arrijmë t’i zgjidhim.

Haxhinasto: Unë gjithashtu do të shpreh vlerësimin tim maksimal për gjithë kontributin personal që japin edhe Riza Halimi dhe Galip Beqiri si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar atje, me Halimi jemi miq të vjetër. Kujtoj me shumë emocion vizitën time në këtë Luginë dhe jam i bindur që ky kontribut që ju jepni për komunitetin shqiptar atje të vij të forcohet edhe si rezultat i bashkëpunimit më të ngushtë me Shqipërinë me Republikën e Shqipërisë me institucionet e saj me qëllim që të kontribuojmë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të arrijnë standarde sa më të larta të jetës së tyre standarde evropiane siç i meritojnë.

Beqiri: Falënderoj zv. kryeministrin që na bëri këtë pritje madhështore, vëllazërore. Ne duam që shteti shqiptar, shteti amë për shqiptarët e Luginës së Preshevës të ketë një interesim më të madh dhe një përpjekje edhe më të madhe. Dhe këtë sot e dëgjuam nga Zëvendëskryeministri dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi bashkëpunim sa më të madh. Biseduam edhe për format e bashkëpunimit. Ju e dini që është 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe në këtë aspekt biseduam që edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës në këto aktivitete mos të mbesin pas, por gjithë shqiptarët kudo që janë të marrin pjesë në këto aktivitete. Ne shprehim gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të ndjekur këto aktivitete. Po ashtu dhe në çështjen e arsimit dhe kulturës, informimit ku besoj se është një nismë e mirë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta dinë se e kanë një mbështetje nga shteti shqiptar, dhe sot mbas bisedave që patëm, kjo do të jetë edhe më serioze.

Pyetje nga gazetarët e pranishëm në këtë konferencë për shtyp

Gazetari: Kam një pyetje për z. Halimi dhe z. Beqiri. Ka kaluar me shumë se një dekadë nga ajo që njihet si marrëveshja e Konçulit për shqiptarët e Luginës së Preshevës. A keni më shumë të drejta se para arritjes së kësaj marrëveshjeje. Dhe pyetja e dytë është e karakterit protokollar. Zakonisht liderët shqiptarë që zhvillojnë takime të ndryshme, takojnë gjithë spektrin politik ju keni parashikuar takime edhe me politikanë të forcave të tjera?

Beqiri: Po e nis nga e dyta. Ne deri më tani kemi pasur takime me kryeministrin Berisha, me znj. Topalli me Ministrin e Arsimit dhe të Kulturës, këto takime janë në vazhdimësi e sipër. Sot u takuam dhe me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, që do të thotë se janë takime gjithmonë e në rritje për bashkëpunim. Për pyetjen e parë marrëveshja e Konçulit është realizuar në aspektin e infrastrukturës, në aspektin e kapaciteteve, të zhvillimit infrastrukturor, por në aspektin politik nuk është realizuar për fat të keq, për shumë arsye. Këtu ka ngecur dhe faktori ndërkombëtar dhe qeveria e Serbisë, mirëpo me mbështetjen e faktorit shqiptar besoj se perspektiva e Luginës së Preshevës është në ngritje e sipër.

Halimi: Programi i dy qeverive asaj federative dhe republikane të Beogradit i vitit 2001, në tri vitet e para kishte projekte të rëndësishme gjatë qeverisjes së z. Gjingjiç. Më vonë dy qeveritë e tjera, e z. Koshtunica dhe kjo e fundit, me të cilën gjithashtu nuk jam i kënaqur, pjesë të mëdha të këtij programi kanë mbetur pa u realizuar dhe ne kemi vërejtje serioze. Unë si deputet vazhdimisht paraqes vërejtjet e mija në parlament dhe shpresojmë që në qeverinë e ardhshme të ketë një qasje më serioze për të realizuar këtë program. Ky program, në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes paqësore pas konflikteve të armatosura në zonën e sigurisë nga 5-kilometërshi nga kufiri i Kosovës, thjesht kishte për qëllim stabilizimin e situatës, përfitimin e epërsimit të asaj popullate ndaj qeverisë në Beograd dhe sigurimin e një perspektive për një jetë normale të shqiptarëve në ato hapësira. Konkluzioni i kësaj është që është punuar pak, duhet të punohet shumë më tepër që shqiptarët atje të zhvillojnë një perspektivë për një jetë normale.

Pyetje: Z. Haxhinasto a mund ta lexojmë si një tërheqje të palës kosovare në negociatat me Serbinë nisur nga fakti që kryenegociatorja e palës kosovare, znj. Tahiri ka rënë dakord për heqjen e termit “Republikë” për Kosovën. Si mund të lexohet ky qëndrim?

Haxhinasto: Ky është një vendim sovran i përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës dhe pyetja u duhet bërë atyre. Por kam besimin e plotë që ata kanë të gjithë aftësinë, maturinë, përgjegjësinë e caktuar politike për të realizuar marrëveshjen në kuadër të dialogut – marrëveshje të cilat do të zgjidhin çështje praktike që ekzistojnë midis dy vendeve. Ajo që është e rëndësishme është që Kosova po ndërmerr hapa të rinj drejt sovranitetit të saj, drejt sovranitetit të plotë dhe kjo duhet përshëndetur. Por ndërkohë ajo realizon të gjitha përgjegjësitë që ka për të konkluduar një proces dialogu me Serbinë me gjithë tërësinë e çështjeve që mbeten akoma për t’u zgjidhur.

SHPËRNDAJE