Ministri Hoxhaj merr mbështetjen e Arabisë Saudite për shtimin e njohjeve

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Saud Al-Faisal.

Fillimisht, Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij duke i përcjellë urimet dhe përshëndetjet të përzemërta të shtetit dhe popullit të Republikës së Kosovës.

“Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë një mbështetje të fuqishme popullit të Kosovës në të kaluarën e saj, një mbështetje të fuqishme para, gjatë dhe pas luftës. Pas luftës, organizata të shumta të Mbretërisë së Arabisë Saudite kanë qenë të pranishme në Kosovë në rindërtimin e shtëpive dhe të xhamive të shkatërruara në luftë,” ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar Princin Saud Al-Faisal për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Arabisë Saudite, njohje e cila ka prodhuar paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Unë po ashtu e kam informuar ministrin e jashtëm për progresin që ka pasur Republika e Kosovës në tri vjetët e fundit, duke ndërtuar institucione të reja të fuqishme qeverisëse, të cilat burojnë nga jetësimi i kushtetutës së re të Republikës së Kosovës,” ka shtuar ai.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka informuar homologun e tij edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës për njohjet e deritanishme, për anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve të mirëfillta me fqinjët.

“Po ashtu kam falënderuar për qëndrimin shumë favorizues të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në botën arabe”.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, Princi Saud Al-Faisal, ka thënë se ai personalisht dhe Mbretëria e Arabisë Saudite kanë përcjellë për një kohë të gjatë zhvillimet politike në Kosovë, luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, Kosova është një shtet shumë i njohur për qytetarët e vendit tim,”ka thënë Princi Saud Al-Faisal.

“Sikurse që kemi qenë në të kaluarën pranë popullit të Kosovës, do të jemi edhe në të ardhmen që ta mbështesim Republikën e Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve, sidomos në vendet që janë anëtarë të Ligës Arabe dhe të Konferencës Islamike,” ka shtuar ai.

Të dy ministrat janë dakorduar që të nënshkruhet një marrëveshje kornizë në mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni