Gjatë një vizite dyditore në Kosovë, Ministri Shqiptar i Punëve të Jashtme Z. Edmond Haxhinasto vizitoi Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku u prit nga udhëheqësi i saj Albin Kurti me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim të përzemërt u diskutua mbi situatën në të dy vendet, bashkëpunimin e ngushtë ndërshqiptar, si dhe nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tepër si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor.

Gjatë takimit Albin Kurti e informoi mysafirin mbi sfidat në të cilat po kalon Kosova dhe nevojën që pavarësisë së vendit t’i shtohet sovraniteti. Nga ana e tij Ministri Haxhinasto uroi Albin Kurtin për hyrjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvend, për angazhimet dhe aktivitetet e deritanishme, si dhe i dëshiroi sukses në punën e mëtutjeshme.

Ministri Haxhinasto foli për rëndësinë e integrimeve evopiane të shqiptarëve me ç’rast Albin Kurti theksoi që integrimi në BE nuk është në kundërshtim me bashkimin kombëtar të shqiptarëve por edhe kurrsesi s’mund ta zëvendësojë atë.

Në fund, Albini e informoi Ministrin Haxhinasto për dëmet nga bisedimet aktuale me Serbinë ku në emër të çështjeve teknike Serbisë po i mundësohet që ta kontrabandojë përmbajtjen e autonomisë territoriale për serbët në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje, por tash për tash pa e quajtur të tillë.

SHPËRNDAJE