MINISTRI BUJA PRITI AMBASADOREN ZVICERANE

Ministri Buja e informoi znj. Marty për të arriturat në fushën e arsimit si dhe e falënderoi atë për kontributin e shtetit zviceran në procesin e reformave, posaçërisht në zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, priti ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, me të cilën bisedoi për çështje të arsimit, ndihmën e Zvicrës në këtë sektor dhe mundësitë e bashkëpunimi të mëtutjeshëm.

Ministri Buja e informoi znj. Marty për të arriturat në fushën e arsimit si dhe e falënderoi atë për kontributin e shtetit zviceran në procesin e reformave, posaçërisht në zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

“Kontributi juaj tejkalon shifrën 8 milionëshe, sidomos në zhvillimin e arsimit profesional, i cili njëherësh është ndër prioritetet tona dhe kjo nuk është pak për ne”, tha ministri Buja.

Ai falënderoi ambasadoren për ndihmën shumëdimensionale të Zvicrës para dhe pas luftës në Kosovë si dhe trajtimin dinjitoz të qytetarëve tanë që jetojnë në këtë vend.

Ambasadorja Krystyna Marty, tha se ndjehet mirë që vendi i saj ka pasur mundësi të ndihmojë Kosovën, popullin e saj, e sidomos zhvillimin e arsimit. “Arsimi është një nga shtyllat kryesore të shtetit, një nga sferat që e determinon zhvillimin ekonomik dhe shoqëror e politik të secilit vend në botë”.

Marty tha se ndihmesa është reciproke pasi që edhe kosovarët që jetojnë në Zvicër kanë dhënë dhe po japin kontribut të çmuar në zhvillimin dhe përparimin e vendit të saj. Ajo u interesua edhe për arsimimin e femrës sidomos në arsimin profesional si dhe për rrjedhat e zhvillimit të shkencës në Kosovë. Ambasadorja Marty gjithashtu e informoi ministrin Buja për bursat që ndanë Qeveria e Zvicrës për studime postdiplomike për çka kandidatët e interesuar do të intervistohen në Kosovë, ndërsa përzgjedhja do të bëhet në Zvicër .

Ndërkaq, ministri Buja theksoi se “vijimi i shkollimit nga femrat është në nivelin e duhur, por çalon pak tek komunitetet rom, ashkalinjë dhe egjyptas-RAE”.

Ministri Buja foli edhe për zhvillimin e shkencës në Kosovë, por theksoi se janë mundësitë e vogla buxhetore për këtë veprimtari shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Ministri Buja dhe ambasadorja Marty u shprehën të gatshëm të vazhdojnë edhe me tutje me bashkëpunimin e frytshëm të dëshmuar deri me tani në fushën e arsimit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni