Milo Gjukanoviq nuk është më kryeministër i Malit të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, një ndër figurat kryesore në skenën politike të vendit, ka dhënë dorëheqjen.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Djukanoviç në një konferencë për shtyp në Podgoricë. Një qeveri e re, sipas mediave lokale, mund të aprovohet nga parlamenti përpara fundit të vitit. Parashikohet që vendin e Djukanoviç ta zërë zëvendësi i tij, ministri aktual i Financave, Igor Luksic.

Dorëheqja e tij shënon fundin e një epokë për shtetin e vogël ballkanik në brigjet e Adriatikut. Babai i pavarësisë së Malit të Zi, siç e quajnë shumë, ka dhe etiketime të tjera. Njeriu i hekurt, për qendrimin e pamëshirshëm dhe këmbënguljen, brisk-rrojë për gjuhën e mprehtë.

Përveç një periudhe të shkurtër nga tetori 2006 deri shkurtin e 2008-tës, ai ka qenë në pushtet që prej vitit 1991, kohë gjatë së cilës i hyri dhe biznesit privat, pa hequr dorë megjithatë nga pozicioni në krye të partisë social-demokrate.  Ish basketbollisti Gjukanoviç ka shumë fytyra: komunist dogmatik, nacionalist serb, si njeriu qe e vuri Malin e Zi në rrugën e pavarësisë, por edhe si europian i flaktë.

Dikur bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviçit, politikani i jashtezakonshëm jo vetëm do të ndihmonte në përmbysjen e ish mentorit të tij, por edhe do të shndërrohej në të preferuar të perëndimit. Pikërisht ky mendohet të jetë edhe shkaku përse u la e fjetur çështja e kontrabandës së cigareve, që  sillte fitime miliarda dollarëshe për mafian e humbje të mëdha për shtetet perëndimore.  Që në vitin 2001 Brukseli lejoi futjen e euros në Mal të Zi, megjithëse ky vend nuk plotëson deri më sot asnjë kriter të vetëm.

Për liderin e ardhshëm Malit të Zi, drejtimi nuk ka për të qenë një mision i lehtë.

Sado që Gjukanoviç pretendon të kundërtën, vendi është në reçesion, ndërsa kreut të ri të ekzekutivit do t’i duhet një punë kolosale që t’i tregojë botës, e sidomos bllokut europian, se lufta kundër krimit të organizuar është marrë seriozisht.  Ashtu si me Medvedevin dhe Putinin në Rusi, shumë besojnë se nëse frerët e pushtetit do t’i marrë ministri 34 vjeçar i Financave Igor Luksic, një mbështetës besnik i tij, fijet nga prapa kuintave do të jetë po Gjukanoviç që do t’i tërheqë, ashtu siç ndodhi dhe gjatë dorëheqjes së tij të fundit në 2006-tën. (TCH)

 


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni