Pas Shqipërisë, ”Milan Junior Camp” kthehet në traditë edhe për Kosovë. Pas edicionit të mbajtur në Prishtinë vitin e kaluar, edicioni i dytë do të nisë të hënën në Mitrovicë, ndërsa për pesë ditë me radhë 200 fëmijë do të realizojnë ëndrrën e tyre për të veshur ngjyrat e skuadrës më të titulluar në botë.
Edicioni i dytë i ”Milan Junior Camp” në Kosovë realizohet edhe një herë falë raportit të shkëlqyer dhe të suksesshëm të kompanisë ”Taçi Oil International” me klubin italian.
”Kënaqësi e veçantë të përjetosh nisjen e një aktiviteti në qendër të të cilit janë fëmijët, dhe kur ky aktivitet zhvillohet në Kosovë, kjo ndjesi për mua bëhet akoma më e madhe. ”Milan Junior Camp” çel edicionin e tij të dytë dhe ne do të jemi përsëri dëshmitar të angazhimeve tona në projekte të tilla. Ky edicion ka përvojën e vitit të shkuar një përvojë emocionuese, ku fëmijë të talentuar zbritën në fushën e blertë me një pasion dhe interes që na befasoi të gjithve. Ky interes dhe entuziazëm na nxiti këtë vit për të përfshirë akoma më shumë një numër më të madh fëmijësh, dhe faktikisht vendosëm që numri i tyre nga 150 të shkonte në 200. Këtë projekt ne duam ta rrisim, të krijohet një traditë dhe për ne është një sfidë konstante pasi mendojmë kur ëndrrat e fëmijëve nisin dhe rriten në mendjet e tyre e pikërisht aty fillon mundësia që ata ti realizojnë ato. Dhe ”Milan Junior Camp” ofron pikërisht këtë mundësi. Në Kosovë ka një trashëgimi dhe një traditë përsa i përket sportit dhe në veçanti futbollit. Ne duam të ecim në më të mirën e kësaj tradite. Ne çmojmë si fat faktin që ky edicion i dytë do të zhvillohet pikërisht në Mitrovicë. Shpresoj që këto ditë në ”Milan Junior Camp” të jenë ditë të paharrueshme jo vetëm për fëmijët, po dhe për prindërit dhe të gjithë ne”, shprehet Anika Taçi, zv/presidente ”Taçi Oil International”.

”Sjell këtu përshëndetjet e administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galliani, të kapitenit Massimo Ambrozini dhe të gjithë skuadrës që ka nisur përgatitjetet për sezonin e ri. Jam shumë i lumtur që bashkë me familjen Taçi, pas disa vitesh të sukseshme në Shqipëri vendosëm ta spostonim këtë projekt në Kosovë, një vend që prodhon talente. Po ashtu jam i lumtur që do të vizitojmë një qytet tjetër si Mitrovica. Kemi patur shumë kërkesa dhe shohim një entuziazëm të madh dhe kjo na bën më të vendosur për të bërë më të mirën gjatë këtij edicioni të Milan Junior Camp. Ky projekt përfaqëson në mënyrën më të mirë ndërkombëtarizimin e markës së Milan, ndërsa vjen në Shqipëri e Kosovë falë përkushtimit dhe bashkëpunimit më ”Taci Oil” që është dhe një nga sponsorat më të rëndësishëm të Milanit”, tha Marco Schembri, koordinator Milan Junior Camp.

I pranishëm në prezantimin e edicionit të dytë të ”Milan Junior Camp Kosova” ka qenë dhe sekretari në ministrinë e Sporteve, Veton Firzi, i cili e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt në masivizimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

”Pas analizave të bëra kemi ardhur në përfundimin se edicioni i parë ka qenë edicion i suksesshëm. Kemi pasur një masivitet nga ana e fëmijëve të cilët me entuziazmin e tyre kanë pranuar këtë ofertë të themi nga ekipi i Milanit dhe partneri ”Taçi Oil”. Pjesë e këtij kampi do të jenë dhe 6 trajnerë nga Kosova por që besoj se do ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë eksperiencën e trajnerëve nga Milani”, tha Veton Firzi, sekretar i MSK.

Duke nisur nga dita e hënë, për pesë ditë me radhë 200 fëmijët pjesmarrës në ”Milan Junior Camp” në Mitrovicë do të stërviten nga trajnerët e klubit italian ku do të marrin të gjitha bazat teknike e taktike të skuadrës më të titulluar të botës. Pesë fëmijët më të talentuar do t’i bashkohen moshatarëve të tyre në Milan Day.

SHPËRNDAJE