Nuk duhet të krijohen iluzione se dikush mund t’ua imponojë shqiptarëve të Maqedonisë mësimin e detyrueshëm të maqedonishtes nga klasa e parë e arsimit nëntëvjeçar.

http://www.botasot.info/img/Izet_Mexhiti.jpegKështu u shpreh nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexhiti i cili bashkë me Ministrin e arsimit të Maqedonisë, Pançe Kralev, zëvendësin e tij Safet Neziri si dhe me komisionarin e lartë të OSBE-së, Knut Volebek, vizituan shkollën fillore “Rajko Zhinzifov” në Çair të Shkupit ku përuruan nismën e Qendrës për Dialog “Nansen” për formimin e dy paraleleve të pilot projektit për prezantimin e mësimit të integruar.

“Ne jemi për integrim por jo për integrim të imponuar, jo integrim që do ti gradon qytetarët apo fëmijët të klasës të parë apo të dytë. Jemi për integrim të barabartë siç është ky projekt për të cilin falënderoj OJQ-në “Nansen Dialog”. Gjenerata e re, këta fëmijë që vijnë do të jenë më të avancuar sepse do të dinë gjuhën e njëri tjetrit. Unë sot e njoh maqedonishten por ministri dhe të tjerët nuk e njohin gjuhën shqipe. Kjo gjeneratë do të njohin gjuhën e njëri tjetrit dhe do të jenë më të integruar dhe më të avancuar”, deklaroi nënkryetar i BDI-së, Izet Mexhiti.

“Nuk do të doja të flasë për ndryshime konkrete të ligjeve dhe aq më pak për strategjinë e komunikimit por një gjë për të cilën mendojmë se është e kuptueshme është se ne nuk shkojmë në atë drejtim të imponojmë zgjidhje ose dëshirojmë që mësimi i integruar të kuptohet si imponim i një diçkaje nga ana e Ministrisë së Arsimit, Qeverisë ose kujt do qoftë, ajo duhet të jetë diçka që vije nga vetë komunat, nga prindërit dhe vetë fëmijët”, tha ministri i Arsimit të Maqedonisë, Pançe Kralev .

Edhe Zv/kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi dje gjatë takimit të tij me komisionarin e lartë të OSBE-së, Knut Volebek përsëriti qëndrimin se BDI-së se është kundër maqedonishtes nga klasa e parë por jo edhe kundër strategjisë për mësim të integruar.

“E gjithë kjo është në një fazë të analizës që dikush mund ta quaj edhe si një pilot projekt për ti anketuar të gjithë partnerët se cilat janë ato pikat më të rëndësishme që i bashkojnë komunitetet. Ideja gjenerale është se në cilat lëmi mund të mësohet bashkë dhe kuptohet se ka shumë lëmi të cilat nuk mund të mësohen bashkë për shkak të dallimeve gjuhësore”, theksoi Xhaferi.

Ndërkohë komisionari i lartë i OSBE-së, Knut Volebe pranoi se në fillim projekti mësim i integruar kishte disa paqartësi, por tani ai do të implementohet pasi është rënë dakord nga të gjitha palët.

“Siç e dimë ekzistojnë disa paqartësi të caktuara lidhur me këtë strategji dhe pikërisht siç u tha nga ministri i arsimit dhe zëvendësi i tij shumë me rëndësi është që të zhvillohet një strategji për komunikim lidhur me këtë projekt. Dje u takova me zëvendës kryeministren Teuta Arifi dhe Musa Xhaferi dhe diskutuam lidhur me arsimin e integruar dhe me të vërtet unë jam i bindur se këtë proces ta çojmë deri në fund, por me ndihmën e të gjitha palëve të interesuara”, u shpreh Volebek.

Debatet rreth mësimit të maqedonishtes filluan para një viti pa një vendimi të Ministrit të atëhershëm të arsimit, Nikolla Todorov që maqedonishtja të jetë e obligueshme për të gjithë nxënësit jo-maqedonas që nga klasa e parë. Por kjo nuk u realizua për shkak të kundërshtimeve të shumta si nga partitë shqiptare ashtu edhe nga sektori joqeveritar.

SHPËRNDAJE