Në ditën e tretë të vizitës në Beograd me ftesë të presidentit serb Boris Tadic, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, njëherit Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, iu rikthye raportit të hartuar nga Dick Marty për Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë si një fiksim të pabazuar në fakte.

Sipas numrit dy të qeverisë shqiptare, e ardhmja e shteteve të Ballkanit është ajo e bashkimit pranë BE-së, ndërkohë sipas tij, raporte të tillë kanë si synim krejt të kundërtën.

“Qëndrimi im ka qenë shumë i qartë, ky raport është i bazuar mbi fiksime. Akuza të tilla janë bërë dhe në të kaluarën, madje janë bërë dhe investigime të cilat kanë rezultuar tërësisht pa fakte. Ndaj besoj se mesazhi kryesor i kësaj vizite është qëndrimi drejt një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”, u shpreh Meta, sipas News24.

Meta foli më tej dhe për diskutimet e zhvilluara mbi çështjen e Kosovës, ku ripërsëriti se qëndrimi i Shqipërisë është i njohur tashmë, për një shtet të ri që synon të integrohet në të gjitha strukturat e larta evropiane dhe atlantike.

Zëvendëskryeministri shqiptar ishte i ftuar të shtunën edhe në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe, në cilësinë e kryetarit të LSI-së, si anëtarë të Internacionales Socialiste. Edhe ditën e djeshme fokusi i diskutimit ishte mbi të ardhmen evropiane të rajonit të Ballkanit

SHPËRNDAJE